LAJMET E MBRËMJES

Ivanisheviqi thotë se pasi u arratis nga UÇK-ja, u bë pjesë e ushtrisë serbe

Ka përfunduar dëshminë në Hagë një serb që ka thënë të jetë rrëmbyer nga UÇK-ja dhe që ka arritur të arratisej nga bagazhi i një automjeti, në të cilin ka thënë se ishte futur me një polic, që pastaj është gjetur i vrarë. Ky dëshmitar ka theksuar se pas arratisjes i është bashkuar ushtrisë jugosllave në luftën në Kosovë

Dëshmitari i 34-t në gjykimin ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjegjshëm të UÇK-së, Dragan Ivanisheviq, ka deklaruar të enjten se është rrëmbyer dhe është futur në të njëjtin bagazh të veturës, nga e cila ka arritur të arratisej.

Ai tha se në bagazh ndodhej me ish-policin e MUP-it serb, Velko Markoviq, trupi i të cilit u gjet në vitin 2001 afër Kleçkës.

“Ai ishte prapa meje, kokën e kishte mënjanë dhe këmbët i kishte pas kokës sime, ndërkohë që këmbët e mia ishin ngjitur me kokën e tij dhe koka ime ishte nga ana tjetër dhe përderisa isha i përkulur, duhej që të ngrija pak këmbët, sepse bagazhi s’mund të mbyllej plotësisht”, e ka përshkruar Ivanisheviq situatën e ndodhjes në bagazh të automjetit.

Ivanisheviqi tha se u rrëmbye më 9 shkurt të vitit 1999 në Novosellë të Vushtrrisë, dhe tregoi se pasi i iku UÇK-së, u mobilizua në njësinë e mbrojtjes territoriale të Jugosllavisë. Pjesë e saj ishte nga 25 marsi deri më 14 qershor 1999, por mohoi se ka qenë në dijeni për masakrat në Vushtrri, që janë kryer gjatë kësaj periudhe.

Në pyetjen e avokatit Luka Mishetiq se a është në dijeni për masakrat që kanë ndodhur në periudhën sa ishte i mobilizuar ai tha se kishte dëgjuar për vrasje.

“Kam dëgjuar që kanë ndodhur vrasje individuale”, u përgjigj ai.

E kur Mishetiq e pyeti se prej kujt, ai u përgjigj se s’e mban mend saktësisht.

“Nuk mund t’jua them me saktësi. Ka të ngjarë nga persona që njihja, persona me të cilët shoqërohesha”, ka thënë ky dëshmitar.

Ivanisheviqi u shpreh se për këto vrasje nuk kishte dëgjuar nga njësia e Mbrojtjes Territoriale të Jugosllavisë që i takonte.

Anëtari i trupit gjykues, Guenawl Mettraux, kërkoi nga dëshmitari të tregojë nëse ishte pjesë e ushtrisë në kohën kur u kap nga UÇK-ja.

“Në shkurt të 99-s, a ke qenë i përfshirë në veprimtari ushtarake”, pyeti gjyqtari Mettraux.

“Jo, jo. Në atë kohë jo”, u përgjigj dëshmitari.

Sipas aktakuzës së Speciales, dy policë të Serbisë, Velko Markoviq dhe Nebojsha Gjuriçiq, u zhdukën më 9 shkurt të 1999-s. Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se më 5 prill 1999 ata u vranë me urdhër të Fatmir Limajt dhe se mbetjet mortore të tyre u gjetën në afërsi të qendrës së ndalimit në Kleçkë. Por, Limaj dhe nëntë ish-ushtarë të UÇK-së janë liruar nga akuzat për këto vrasje edhe nga Tribunali i Hagës e edhe gjatë një procesi gjyqësor në Kosovë, të zhvilluar nga EULEX-i.

Në seancën e mbajtur të enjten ka dëshmuar edhe dëshmitari i 35-të, nën masa mbrojtëse dhe kryesisht në seancë të mbyllur.

Prokurorja Lies van Welde e shpalosi dëshminë e tij ku, sipas saj, ai ka dëshmuar në prokurori paraprakisht për ndalim e keqtrajtim.

“Dëshmitari 0444 u arrestua nga 8 ose 9 pjesëtarë të armatosur të UÇK-së. Shumica kishin maska. E vendosën në një automjet, me duart e lidhura prapa (në shpinë) dhe me maskë në kokë. Në automjet e morën edhe një të arrestuar tjetër. Të dy këta persona i çuan në një dhomë dhe u mbajtën të ndaluar së bashku. Dëshmitari me numër 0444 u rrah kaq shumë, saqë nuk merrte dot frymë. Ra në tokë dhe humbi ndjenjat. Dëshmitarit nuk iu dha asnjë arsye për arrestimin e tij apo për ndalimin e tij”, tha Welde tek lexonte përmbledhjen për këtë dëshmitar. “Pas katër ditësh dëshmitari 444 u lirua nga rojat e burgut me uniforma të zeza, derisa të ndaluarit e tjerë mbetën në dhomë. Pas lirimit iu desh të merrte trajtim mjekësor dhe medikamente për dhimbjet që ja kishte shkaktuar rrahja”.

Gjatë transmetimit të seancës në faqen e Dhomave të Specializuara, veçanërisht asaj të dëshmitarit të 35-të, nuk janë dëgjuar përgjigjet e shkurtra, siç janë ato me “po” ose “jo”.

Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, e pyeti dëshmitarin lidhur me kontradiktat në deklaratat e tij lidhur me kohëzgjatjen e keqtrajtimit gjatë ndalimit.

“Pra, nuk keni ide se sa kohë ka zgjatur rrahja apo se sa e ashpër ka qenë”, pyeti Roberts.

E dëshmitari iu përgjigj se nuk kishte se si ta dinte këtë.

“Nuk kam pasur orë ta mas se sa më kanë rrahur. Pesë minuta apo ka mundur të jetë një orë, ku ta di unë? Orë s’kam pasur”, tha dëshmitari.

Në bazë të versionit të aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e publikuar në shkurt 2023-s, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mbi të pandehurit rëndojnë akuza për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999. Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm lidhur me krimet që janë kryer.

Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi kanë thënë se UÇK-ja s’ka pasur hierarki të tillë që Shtabi i Përgjithshëm të kishte kontroll efektiv mbi komandat e zonave operative dhe komandat lokale e aq më pak dijeni se cilat janë veprimet të cilat i kryejnë këto komanda.