Ish-punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut kanë vazhduar protestat e tyre për të kërkuar kthimin në këtë korporatë. Nëse kjo nuk do të bëhet deri në fund të muajit, ata paralajmërojnë se nuk do ta veshin asnjë uniformë të kompanive private. E zyrtarët e KEK-ut kanë thënë se nuk kanë asnjë mundësi ligjore për riorganizimin e këtij shërbimi në kuadër të Korporatës
Ish-punëtorët e sigurimit fizik të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë thënë se nuk do ta veshin uniformën e asnjë kompanie private në rast se deri në fund të këtij muaji nuk kthehen në KEK.
Nëpërmjet një proteste të martën, ata kanë adresuar edhe akuza ndaj menaxhmentit të kësaj korporate për korrupsion. Sipas tyre, nëpërmjet tenderëve për sigurimin fizik, zyrtarët e KEK-ut fitojnë miliona euro jashtëligjshëm.
“Sot e 20 vjet tenderohet në mënyrë të paligjshme edhe sot është duke u tenderuar në mënyrë të paligjshme. Kohëve të fundit kemi edhe një raport të Auditorit të Brendshëm ku tregon që nuk është në përputhje me kontatën. Prandaj, ne po dyshojmë që këtu ka hile dhe ka korrupsion dhe kjo është arsyeja e cila tenderohet edhe tash e tutje”, është shprehur kryetari i Sindikatës së Re në KEK, Nexhat Llumnica.
Sipas tij, marrëveshja e para 20 vjetëve ka qenë që punëtorët e sigurimit fizik të huazohen për një afat 2, plus 1 vit.
“Prandaj t’i kthehen Korporatës Energjetike të Kosovës. Për këtë kemi edhe argumente, dhe sot këta punëmarrës si rezultat i operatorëve ekonomikë që në vazhdimësi marrin tenderë dhe si rezultat i keqmenaxhimit të KEK-ut sot këta punëtorë më 20 shkurt nuk e kanë marrë pagën e janarit. Prandaj edhe një herë i bëj thirrje edhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që kur ishte në opozitë na përkrahte për këtë të drejtë të ligjshme, sepse ky departament nuk është privatizuar”.
E, përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik, Nexhat Murati, ka theksuar se edhe huazimi i tyre te kompanitë private ka qenë i jashtëligjshëm.
“Këta njerëz po vazhdojnë me një tenderim të vjetër dhe të korruptuar ku fitimet normalisht që janë shumë të mëdha nga këta persona të KEK-ut. Kështu që me ba me na kthye në KEK aty ku e kemi vendin ma nuk munden me marrë këta tendera, nuk munden me marrë pare edhe banesa”, ka thënë Nexhat Murati
Ndërkohë, zyrtarët e KEK-ut nëpërmjet një sqarimi kanë thënë se bazuar në dokumentacionin të cilin e kanë trashëguar ish-mbrojtja dhe siguria ishte ndarë nga kjo korporatë para 20 vjetëve, sipas strategjisë së miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
“Në bazë të dokumentacionit që posedojmë, asnjë nga ish-punëtorët e kësaj ish-njësie të shthurur në vitin 2004 nuk kanë kontratë pune me KEK sh.a. Në këto rrethana, nga aspekti ligjor, punëtorët në fjalë nuk kanë asnjë mundësi të figurojnë të jenë punëtorë të subjektit juridik KEK sh.a., pasi që ata kanë kaluar tek kompanitë private para se të regjistrohej KEK sh.a. si korporatë në vitin 2005”, thuhet në sqarimin e KEK-ut.
Tutje zyrtarët e KEK-ut kanë theksuar se nuk kanë asnjë mundësi ligjore për riorganizimin e këtij shërbimi në kuadër të Korporatës.
“Për më tepër, çdo punësim i ri i punëtorëve në KEK sh. a. duhet të bëhet në pajtim me Ligjin e Punës dhe aktet e tjera nënligjore, si Udhëzimi i MPMS për krijimin e marrëdhënies se punës në sektorin publik (2011/14) për punësimet e reja. Lidhur me këtë, duke pasur parasysh faktet e lartcekura dhe bazuar në ligjet në fuqi, KEK sh.a. nuk ka asnjë mundësi ligjore për riorganizimin e këtij shërbimi në kuadër të Korporatës”.
Punëtorët fizikë kanë dhënë afat deri në fund të këtij muaji të kthehen në KEK, përndryshe kanë paralajmëruar se nuk do ta veshin asnjë uniformë të kompanive private