LAJMET E MBRËMJES

Ish-ministri në Qeverinë e Kosovës dënohet me 3 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë

Tre muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë i janë dhënë të mërkurën ish-ministrit në Qeverinë e Kosovës, tash deputet në Kuvendin e Serbisë, Goran Rakiq. Ai ka pranuar fajësinë për mosdeklarim të saktë të pasurisë dhe gjykata ka aprovuar marrëveshjen mes tij dhe prokurorisë

Ish-ministri në Qeverinë e Kosovës, tash deputet në Kuvendin e Serbisë, Goran Rakiq, është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me tre muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Aktgjykimi është shpallur të mërkurën nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, pasi paraprakisht gjykata aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Sipas aktgjykimit, dënimi i shqiptuar me burgim prej 3 muajsh nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

E gjobën është i obliguar ta paguajë brenda 15 ditësh, sikurse edhe shpenzimet procedurale dhe paushallin prej 100 eurosh.

Rakiq akuzohet se sa ishte ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë për vitin 2020.

Rakiq ishte prezent në këtë seancë dhe tha se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë në prokurori dhe marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Politikani serb nga Kosova ishte ministër në disa qeveri të Kosovës e në një kohë edhe zv.kryeministër. Ishte po ashtu kryetar i Listës Serbe deri para pak muajsh, kur u zgjodh deputet në Kuvendin e Serbisë, i kandiduar nga partia që udhëhiqet nga presidenti i këtij vendi Alekksandar Vuçiq – SNS.