Në vizitën e tij të tretë në Kosovë që nga përfundimi i luftës më 1999, ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, u vlerësua e u falënderua nga udhëheqësit politikë të vendit. Ai u quajt hero e shpëtimtar i popullit të Kosovës, ndërkohë vetë ai tha se bombardimet e NATO-s mbi caqet ushtarake të Serbisë ishin gjëja e duhur. Po ashtu, ftoi pesë vendet e BE-së ta njohin pavarësinë e Kosovës
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, u vlerësua nga udhëheqësit e shtetit si njëri nga njerëzit kyç në marrjen e vendimit në NATO për nisjen e bombardimeve kundër caqeve ushtarake serbe në ish-Jugosllavi.
Në vizitën e tij të tretë në Kosovë që nga përfundimi i luftës më 1999, Blair theksoi se vazhdon ta quajë vendim të duhur fushatën 78-ditore të bombardimeve që rezultoi me ndaljen e agresionit të ushtrisë serbe kundër shqiptarëve.
E në një seancë solemne të hënën, para deputetëve të Kosovës ai vlerësoi progresin e Kosovës dhe iu bëri thirrje pesë shteteve të BE-së që ta njohin pavarësinë e shpallur më 2008.
“E di që Kosova ende përballet me shumë sfida. Ka përçarje ende të pashëruara në këtë vend, të cilat shpresoj se me kalimin e kohës mund të shërohen. Ka vende që ende nuk e njohin Kosovën, të cilat duhet të binden ta bëjnë këtë. Dhe për të rinjtë e Kosovës, shumë prej të cilëve kanë lindur pas 10 qershorit 1999, disa prej tyre madje mbajnë emrin tim, me krenari e them këtë, për ta ka ende shumë që ne duhet të arrijmë për t'iu dhënë atyre mundësitë që meritojnë”, tha Blair.
Para adresimit të tij në Kuvend, ish-kryeministri britanik u prit nga presidentja Vjosa Osmani, e cila vlerësoi kontributin e tij duke e quajtur hero dhe shpëtimtar të popullit shqiptar.
“Në vitet ‘99, roli juaj si kryeministër britanik gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte vendimtar, ndaj sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës dhe hero i lirisë dhe i demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe”, tha Osmani.
Blair u prit edhe nga kryeministri Albin Kurti dhe nga kryekuvendari Glauk Konjufca. Pas këtyre takimeve nuk pati prononcime të tyre për media. Por, përmes komunikatave për media, Kurti e vlerësoi vendimtare udhëheqjen e Blairit për të vendosur drejtësi dhe paqe. E Konjufca e quajti simbol të përmbylljes së luftës në Kosovë.
Për kontributin e dhënë para 25 vjetësh atij iu dha “Çelësi i Qytetit” dhe titulli “Qytetar Nderi i Kryeqytetit” nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
“Tony Blair, lider i madh, hero dhe mbi të gjitha mik i gjithë kombit shqiptar në Kosovë dhe kudo në botë, dhe bota ka nevojë për siguri për më shumë Tony Blair-ë, jo vetëm në emër, por me vepra, Kosova do t’ju kujtojë dhe do t’ju nderojë përgjithmonë”, tha Rama.
Për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës, në Ferizaj pritet të inaugurohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik.