LAJMET E MBRËMJES

Ish-komandanti Qeriqi: Në disa njësi UÇK-ja funksiononte si ushtri e rregullt

Në ditën e dytë të dëshmisë në Hagë, në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, ish-komandanti Ramiz Qeriqi, i njohur me nofkën Luani, theksoi se në disa njësi komanduese Ushtria Çlirimtare i ngjasonte një ushtrie të rregullt. Në përgjigjet dhënë pyetjeve të mbrojtjes së të akuzuarve, ai e kualifikoi si të organizuar edhe dislokimin e tij në zonën Kleçkë-Krojmir

Në disa hallka të hierarkisë, UÇK-ja ka funksionuar si ushtri e rregullt, ka thënë ish-komandanti i Batalionit të Dytë të Brigadës 121 të Zonës së Pashtrikut, Ramiz Qeriqi, në ditën e dytë të dëshmisë para Dhomave të Specializuara në Hagë.

Në vazhdimin e dëshmisë së tij në rastin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm – Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, pas shterimit të pyetjeve të nisura një ditë më parë nga prokurorja Silvia D’Ascoli, pyetjet i shtruan mbrojtësit e të akuzuarve. 

I pyetur nga avokati i Selimit, Geoffrey Roberts, se si është përfshirë në UÇK, Qeriqi theksoi se ky proces ka qenë i organizuar.

“...Qëndrova, më udhëzuan të shkoja në Kleçkë-Krojmir. Do të thotë që ka qenë aq mirë e organizuar. Nuk ka qenë shko ku të duash, nuk ke mundur të shkosh ku të duash, as të hyje ku të duash, kemi hyrë të organizuar që nga fillimi deri aty”, ka thënë Qeriqi. 

Ai foli edhe për lejet që komandantët ua lëshonin ushtarëve për qarkullim.

“Siç ka ndodhur tek unë, ka ndodhur edhe në batalionet e tjera. Unë s’kam qenë i veçantë, të njëjtë kemi qenë. Sikur ai që e ka lëshuar atë lejen, është dashur të kishte leje që ushtari të shkonte në brigadë, leje qarkullimi, për sa kohë, 4 orë, 4 orë është dashur ta lëshonim. Kanë qenë lëvizjet e kontrolluara sikur të ishte ushtri e rregullt”, ka shtuar ai. 

E avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, kërkoi më shumë shpjegime lidhur me strukturën e UÇK-së. 

“Ju këmbëngulni në dëshminë tuaj dhe thoni se UÇK-ja ka qenë shumë e organizuar dhe ka pasur zinxhirin komandues ushtarak, a është kështu?”, pyeti Mishetiq.

Dhe mori një përgjigje.

“Po them nga batalioni deri në brigadë, ma andej nuk them, sepse nuk kam njohuri”, ka thënë Qeriqi. 
Dëshminë në Hagë Qeriqi, që në luftë njihej me nofkën “Luani”, do ta vazhdojë edhe të mërkurën. Ai ka dëshmuar më herët edhe para Tribunalit të Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, në kuadër të rastit të Fatmir Limajt, Isak Musliut e Haradin Balës.