LAJMET E MBRËMJES

Ish-këshilltari i UNMIK-ut: Disa gjurmë të lëndimeve me armë zjarri janë të palogjikshme

Eksperti i mjekësisë ligjore, John Clarke, ka dëshmuar në Hagë duke përshkruar disa fotografi të viktimave që ZPS-ja i ka prezantuar. Për disa prej viktimave në fotografi, ai tha se kanë vdekur nga plumbi e tek interpretoi plagë të viktimave të tjera, tha se janë shkaktuar nga objekte të gjata. Clarke ka thënë se në raportin e autopsisë për disa viktima, ai ka nxjerrë konstatime se kishte diçka të pazakontë

Në gjykimin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ka dëshmuar të mërkurën eksperti i mjekësisë ligjore, John Clarke, i cili ka përshkruar viktimat që Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka prezantuar me fotografi.

Për disa viktima të shfaqura në ekran, Clarke tha se kanë vdekur nga plumbi e disa të tjera tha se janë goditur me instrumente të ndryshme që kanë shkaktuar mavijosje.

“Mund të shikoni humbjen e ngjyrës ose kthimin e ngjyrës në të purpurt brenda dhe në të dyja anët, në fakt. Domethënë, siç mund ta shikoni, ngjyra ka ndryshuar, është bërë si në të purpurt në të kuqërremtë. Përveç kësaj, në të majtë mund të shikoni një zonë që është më e purpurt dhe është më e thellë dhe në fakt është mavijosje. Është e qartë – kjo dhe kjo ka ndodhur gjatë kohës kur personi ka qenë i gjallë. Është një zonë e gjerë”, ka thënë dëshmitari Clarke.

Në gjykatore ai ka theksuar se gërvishtjet dhe mavijosjet shkaktohen kur qëllohen me mjete të forta, por që nuk kanë të bëjnë me plumbin ose thikën.

E për një trup tjetër në fotografi, ai ka thënë se ka mavijosje që janë shkaktuar nga objekte të gjata.
Pyetjet ndaj dëshmitarit i ka vazhduar mbrojtja e Kadri Veselit.

E dëshmitari Clarke tha se nuk ka bërë asnjë autopsi ndaj viktimave dhe se nuk ka qenë i pranishëm kur janë kryer ato.

Clarke ka thënë se në raportin e autopsisë për disa viktima prej të cilave ai ka nxjerrë konstatime, kishte diçka të pazakontë.

Ai gjithashtu pohoi se nuk ka pasur dhe nuk ka një diagram apo fotografi mbështetëse ku të mbështetet ai për përfundimet.

“Duken të palogjikshme sepse plaga në hyrje dhe në dalje janë shumë afër. Plaga e hyrjes dhe e daljes është shumë e pazakontë. Kjo mund të ndodhë ndonjëherë – jo se nuk ndodh, por habitem se pse nuk ka bërë asnjë koment patologu. Nëse do të shikoja një rast të tillë dhe do të thosha që këtu ka hyrë dhe këtu ka dalë plumbi, do të mendoja me vete që kjo është e pazakontë dhe do të bëja një shpjegim për këtë. Mbase patologu ka pasur të drejtë në gjetjet e veta, por jam i befasuar se pse nuk është theksuar dhe pse nuk është thënë që është e pazakontë. Pse nuk ka asnjë shpjegim për këtë”, ka thënë ky dëshmitar.

Clarke dëshminë e tij në Hagë do ta vazhdojë edhe të enjten.

E në ditën e tretë të dëshmisë në Hagë, ish-këshilltari i UNMIK-ut në Kosovë, Hansjoerg Strohmeyer tha se Hashim Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike.

“Për mua ka qenë gjithmonë e qartë që zoti Thaçi ishte i lidhur me të gjitha çështjet politike apo kur kemi pasur biseda për përbërjen e Këshillit Tranzitor të Kosovës (KTK), kur kemi caktuar takime, bisedime për përfshirjen e pjesëtarëve të UÇK-së në forcën e Policisë. Këto takime caktoheshin gjithmonë me zotin Thaçi dhe në një rast ai erdhi bashkë me zotin Çeku. Për ne ky ishte realiteti”, ka thënë Strohmeyer.

Strohmeyer ka folur edhe për Shërbimin Informativ të Kosovës. Ai theksoi se nga ajo siç e kishin kuptuar zyrtarët e UNMIK-ut, Shërbimi Informativ nuk ishte në përputhje me Rezolutën 1244.