Dëshmitari i 16-të i ftuar nga Prokuroria në rastin e ish-krerëve të UÇK ka thënë se ushtarët tjerë të UÇK-së i kanë thënë “ta heqim shallin”, duke aluduar në kundërshtinë e tyre ndaj liderin e LDK-së, Ibrahim Rugovën. Në këtë seancë, avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi kërkoi sqarime lidhur me deklaratat e zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Rusisë, lidhur me raportimet që Zyra e Prokurorit të Specializuar po kërkon dëshmitarë katolikë për të raportuar në dëm të të akuzuarve.
Gjykata Speciale është kthyer nga pushimi veror, me dëshmitarin e 16-të ish-pjesëtar i LDK-së dhe i UÇK-së, në rastin ku po akuzohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit ish-krerët e UÇK-së.
Ai tha se edhe ushtarët e rangut më të ulët thumbonin ushtarët e rinj si ai lidhur me LDK-në në periudhën maj-korrik 1998.
“Menjëherë pasi kemi shkuar në Llapushnik kanë filluar të deklarohen, ushtarët pa uniformë që ishin ushtarë të thjeshtë, as nuk e njihnin Rugovën thoshin menjëherë shallin ta heqim. S'ta njoh shallin. E unë nuk e kuptova në fillim se kush është shalli dhe s'ta njoh shallin. Ne kishim hyrë për të luftuar me forcat serbe, e pastaj e kuptova se është fjala për Rugovën se ajo pengesa e tyre paska qenë Rugova”, theksoi dëshmitari.
Ai tha se ka pasur presion ndaj atyre që ishin pjesëtarë të LDK-së dhe që synonin të bëheshin pjesë e UÇK-së.
Ka theksuar se i kishin thënë të mos i pranonin pjesëtarët e LDK-së në UÇK.
“A u thuhej ushtarëve të UÇK-së që të mendonin ose ta kishin përshtypjen që LDK-ja ishte armik?” e pyeti atë prokurori Matthew Halling.
“Gjithmonë ka pasur se... nuk duhet t'i pranojmë që i kam dëgjuat prej pjesës sime, se nuk duhet t'i pranojmë se s'janë të besueshëm e kështu”, u përgjigj dëhmitari.
Tregoi se ushtaret merrnin urdhra nga ai që e kishin komandantit të drejtpërdrejtë në Llapushnik dhe se në përgjithësi nuk kishte urdhra me shkrim.
Prokurori e pyeti se a komunikoheshin urdhrat edhe me gojë edhe me shkrim.
“Vetëm me gojë, ka pasur edhe raste të tjera që e kanë shkruar për ndonjë person që është ndjekur penalisht ose diçka që i kanë pasur ato...”, u përgjigj ai.
Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, i kërkoi gjykatës udhëzime lidhur me disa raportime mediatike.
Kehoe kërkoi udhëzim nga gjykata lidhur me pretendimin e Ministrisë së Jashtme të Rusisë nëse akuzat e që i ngarkojnë të akuzuarit lidhen me trafikim organesh apo jo dhe të sqarojë raportimet se ZPS-ja po kërkon dëshmitarë shqiptarë katolikë për të dëshmuar në dëm të Thaçit.
“Ju parashtroj të nderuar gjyqtarë që do të ishte mirë të jepni një njoftim dhe të thoni që ky hetim ka përfunduar dhe kjo çështje nuk ka të bëjë fare me trafikim organesh. Një tjetër çështje që është edhe po aq shqetësuese është ndikimi mbi dëshmitarët që kanë të bëjnë me klientin tim, me presidentin Hashim Thaçi... Ka shumë artikuj që janë botuar ditëve të mëparshme që janë botuar në Prishtinë dhe që janë reflektuar gjithashtu edhe në lajme, në intervista të transmetuara në mënyrë të drejtpërdrejtë që një person shqiptar, një individ shqiptar në Gjermani është kontaktuar nga Qeveria e Kosovës dhe thuhet që këtij personi në Gjermani i është kërkuar që personalisht të gjejë katër dëshmitarë katolikë që të japë dëshmi në gjykatën e Hagës kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit. Ai citohet të ketë thënë që mua më është kërkuar të gjejë dëshmitarë katolikë kundër Hashim Thaçit dhe teoria është që dëshmitarët katolikë janë më të besueshëm se ata jo-katolikë... Kjo është ndërhyrje në procesin e drejtësisë”, theksoi Kehoe.
Lidhur me këtë të fundit, prokurori Halling u përgjigj se gjërat që i ka thënë avokati Kehoe nuk i janë parashtruar asnjëherë zyrtarisht me shkrim.
E kryetari i trupit gjykues, Charles Smith u përgjigj se ai duhet t’i kërkojë udhëzime gjykatës me shkrim, meqë kanë tepër pak kontroll mbi atë që mund ta shkruajnë mediat.