Qeveria ka propozuar shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së, Kimete Gashi, shkaku që si kryetare e panelit për rastin e një tenderi të insulinave, votoi për kontraktimin e tyre pa garancitë e kompanisë për cilësinë e barit. Pas mbledhjes së Qeverisë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se institucioni që ai e drejton ndodhet nën presion për nënshkrimin e jashtëligjshëm të këtij tenderi. E nga Shoqëria Civile thanë se nuk duhet iniciuar shkarkimi vetëm i Gashit, por edhe i anëtarëve të tjerë që votuan për këtë vendim
Anëtarja e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, që vitin e shkuar është rekomanduar për këtë pozitë nga Qeveria Kurti, rrezikon që të shkarkohet me propozim të po kësaj qeverie.
Propozimi është bërë të mërkurën me arsyetimin se Gashi sa ka qenë kryetare e panelit për shqyrtimin e ankesave të tenderit të insulinave, nëpërmjet vendimit për kontraktimin e një lloji të këtij bari pa garancinë e cilësisë ka rrezikuar qytetarët.
Në mbledhjen e Qeverisë kryeministri Albin Kurti e arsyetoi propozimin për shkarkimin e saj.
“I propozojmë Kuvendit shkarkimin e anëtares së OSHP-së, Kimete Gashi, e cila ka udhëhequr panelin që ka marrë vendimin e dëmshëm në kurriz të qytetarëve. Nuk ka ligjshmëri e as punë për të mirën e interesit publik kur vendimmarrja anashkalon interesin e qytetarëve e aq më tepër kur e njëjta shkel ligjin në fuqi. Brenda kompetencave që ka Qeveria do ta dënojë çdo sjellje e veprim të dëmshëm pa marrë parasysh subjektin që merr vendimin”, ka thënë kryeministri Kurti.
E pas mbledhjes së Qeverisë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, foli për presione rreth tenderit për insulina.
“OSHP-ja dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë, që kontrata t’i nënshkruhet një operatori i cili nuk ka, madje as nuk ka aplikuar, deri më tani për autorizim-marketing, i cili është obligues sipas Ligjit për pajisje dhe produkte mjekësore”, ka thënë ministri Vitia.
I pyetur se përse është propozuar shkarkimi vetëm i anëtares Gashi, pasi KOHA pati raportuar më herët se pro insulinave pa garancitë e duhura të cilësisë kanë votuar edhe anëtarët Vjosa Gradina e Vedat Poterqoi, Vitia dha përgjigje të shkurtër.
“Arsyeja pse vetëm një person është, sepse ajo e ka udhëhequr procesin”, ka thënë ai.
Mirëpo organizata që e monitorojnë prokurimin publik thanë se do të duhej të shkarkoheshin të tre anëtarët që votuan për lejimin e insulinave pa garancitë e cilësisë.
Në një komunikatë për media organizatat Demokraci Plus, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Iniciativa për Progres, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Lëvizja FOL u bënë thirrje Qeverisë që t’i trajtojë të gjithë anëtarët njësoj.
“Organizatat e shoqërisë civile (OJQ) të poshtëshënuara reagojnë kundër vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës që vetëm anëtarja e Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (tutje OSHP), respektivisht kryetarja e Panelit Shqyrtues në rastin e insulinave, Kimete Gashi, të propozohet për shkarkim nga ana e Kuvendit, duke e vlerësuar si vendim selektiv, i cili amniston nga përgjegjësia anëtarët e tjerë të Bordit të OSHP-së që votuan njëjtë sikurse e propozuara për shkarkim”, thuhet në reagim.
Gjatë ditës KOHA ka provuar që ta kontaktojë Gashin lidhur me rastin, por ajo nuk është përgjigjur.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi se si Ministria e Shëndetësisë e refuzoi për afro dy vjet nënshkrimin e tenderit për insulina me arsyetimin se kompania fituese nuk ka garancitë e cilësisë për këtë produkt. OSHP-ja i ka dhënë vazhdimisht të drejtë kompanisë farmaceutike që nuk e ka certifikatën e cilësisë dhe të sigurisë së barit.