Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se të rënët e Drenicës dhe bashkë me ta edhe komandanti Ilaz Kodra kanë qenë të gatshëm që për lirinë e Kosovës t’i dilnin ballë ofensivës serbe, e cila për qëllim kishte shfarosjen e shqiptarëve. “Ata janë kujtesa jonë e përhershme, janë themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë, janë krenaria jonë dhe janë frymëzimi e udhërrëfimi i çdo vepre tonë”, ka thënë Osmani
Me një minutë heshtje në një seancë solemne, Kuvendi i Kosovës ka nderuar të enjten komandantin e UÇK-së, Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorët e martirët që kanë rënë më 30 prill të 1999-s në Drenicë.
Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani ka theksuar se të rënët e Drenicës dhe bashkë me ta edhe komandanti Ilaz Kodra kanë qenë të gatshëm që për lirinë e Kosovës t’i dilnin ballë ofensivës serbe, e cila për qëllim kishte shfarosjen e shqiptarëve.
“Ata janë kujtesa jonë e përhershme, janë themeli mbi të cilin është ndërtuar shteti ynë, janë krenaria jonë dhe janë frymëzimi e udhërrëfimi i çdo vepre tonë”, ka thënë Osmani.
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se komandanti Kodra që nga rinia e tij e hershme është angazhuar si aktivist kundër shtypjes politike dhe diskriminimit të shqiptarëve nga Jugosllavia, për të përfunduar në këtë kauzë duke e dhënë edhe jetën.
“Oda e familjes Kodra u bë një nga bazat e hershme të grupeve të armatosura që e rritën dhe e ngritën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, është shprehur Kurti.
E kryeparlamentari Glauk Konjufca ka bërë të ditur se Ilaz Kodra me bashkëluftëtarë i përket kronikës më të lavdishme të historisë së Kosovës.
“UÇK-ja është kapitulli më i ndritur i historisë sonë të shekullit 20, ndërkaq Drenica me luftëtarët e saj i dha historisë heronj dhe dëshmorë, jeta dhe vepra e të cilëve janë frymëzim për ne dhe brezat që do t’i lëmë pas”, ka thënë ai.
Vepra e Kodrës dhe e të rënëve të tjerë të Drenicës është vlerësuar edhe me fjalimet e disa deputetëve të tjerë të Kuvendit, të cilët janë zotuar për ruajtjen e vlerave për të cilat ata kanë rënë.