LAJMET E MBRËMJES

IKSHPK: Ka rënie të nivelit të manganit, por ende i pranishëm në ujë

Qytetarët e Prishtinës që furnizohen nga liqeni i Badocit ende nuk mund ta konsumojnë ujin për pije e gatim. Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike njoftuan se analizat e fundit laboratorike evidentuan rënie të vlerës së manganit në ujë, por jo deri në nivelin që konsiderohet i sigurt për konsum. E qytetarët shprehën ankesën se blerja e ujit për afro një muaj u shkaktoi ngarkesë financiare

Pas gati një muaj qëkur uji nga liqeni i Badocit nuk është i pijshëm, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) njoftoi se vlerat e manganit ende nuk kanë rënë në nivelin e sigurt për konsum.

Në një konferencë për media, nga përfaqësues të këtij instituti thanë të shtunën se analizat e fundit laboratorike kanë treguar rënie të vlerës së manganit.

Burbuqe Nushi, koordinatore e qendrës së ujit në IKSHPK, tha se megjithëkëtë uji nuk mund të përdoret për pije e gatim, por veç për veprimtari të tjera.

“Me datën 10 nëntor, dje, rezultatet e fundit janë se vlera e manganit në rrjet sillet prej 0.058 deri 0.19. mg/l. Përkundër faktit se vlerat janë duke rënë, prapëseprapë vlera e lejuar për përdorim të ujit për pije është 0.05 mg për litër (uji në rubinetë/çezme) dhe ende nuk është arritur”, ka thënë Nushi.

Ajo theksoi se konsumimi i ujit me vlera të rritura të manganit mund të ketë ndikim në sistemin nervor qendror të njeriut.

“Vlerat prej 005 mg/l na orientojnë se nuk ka ndikim të dëmshëm në shëndet, mirëpo në anën tjetër ndikon në rritjen dhe zhvillimin tonë. Çdo vlerë që i tejkalon vlerat e parapara si metal i rëndë, shndërrohet në toksikocitet. Atakon kryesisht sistemin nervor qendror, mirëpo mundet të prekë edhe funksione të tjera të organizmit”, ka theksuar Nushi.

Ajo ka treguar për rekomandimet që i janë dhënë KRU “Prishtina” në planin afatmesëm dhe afatgjatë për të parandaluar paraqitjen e fenomenit në vitet e ardhshme.

“Njëra prej tyre është ndërtimi i kullës së veprës së marrjes së përthithjes së ujit me qëllim të lëvizjes së nivelit të përthithjes dhe e dyta është funksionalizimi i kanalit për furnizim me ujë nga sistemi i Ibër -Lepencit”, ka thënë Nushi.

E drejtori i IKSHPK-së, Naser ramadani, bëri të ditur se po bashkëpunohet me inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në funksion të kontrollit nëse uji nga rubinetet po përdoret në sektorin e gastronomisë.

Qëkur u dha njoftimi për moskonsumimin e ujit në lagjet që furnizohen nga liqeni i Badocit, autobote me ujë të pijshëm janë vendosur në pjesë të ndryshme të kryeqytetit.

Por, në prononcim për KOHËN, qytetarët shprehën ankesa se blerja e ujit për pije e zierje po u shkakton ngarkesë financiare.

“Me ujë nuk e di çka është duke u bërë. A është mirë, a është keq nuk e di. Dikush ka para, dikush nuk ka. Tash situata jo bash e mirë, por çka të bëjmë. Kush ka po blen. Na bijnë këtu një cisternë, e mbushim aty. Çka të bëjmë”, ka thënë një qytetar.

E qytetari Milaim Berisha të shtunën u pa duke u furnizuar me disa bidonë me ujë.

“5 i kam blerë sot. Përditë i blej nga 5, 10, shumë herë. Çdoherë blejmë”, ka thënë Berisha.

“Vazhdimisht po blejmë ujë, deri në lajmërimin e ardhshëm. Domethënë, kur mund ta përdorim ujin e ujësjellësit për zierje dhe pije. Kemi blerë më tepër sesa herëve të tjera, meqenëse është i papërdorshëm momentalisht. Ndoshta do të ketë ndonjë përmirësim të kualitetit të ujit”, ka thënë qytetari Adnan Mehmeti

Një ditë më parë, nga KRU “Prishtina” njoftuan se të shtunën do të bëhet shpëlarja e gypave në linja magjistrale e sekondare nëpër zonat që furnizohen nga liqeni i Badocit, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ujit.