LAJMET E MBRËMJES

IKD: Vendimi i Ramës për mbyllje rrugësh është i kundërligjshëm

Është vlerësuar i jashtëligjshëm, vendimi i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, me të cilin bllokohet qasja me automjete në redaksi KOHËS dhe Radio Kosovës. Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, vendimi nuk i përmbush kërkesat e Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative. Krahas kësaj, Rama nuk ka përfillur as dispozitat ligjore që kërkojnë konsultim paraprak.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se është i paligjshëm vendimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama për mbylljen e disa rrugëve në qendër të kryeqytetit, përfshirë rrugën e vetme për t’iu qasur me automjete dy mediave kombëtare, KOHËS dhe Radio Kosovës.

IKD-ja i ka kërkuar Ramës që ta anulojë vendimin për mbylljen e qarkullimit të mjeteve motorike në një pjesë të rrugëve “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, si dhe në rrugët e rrugicat të cilat kalojnë nëpër parkun e Universitetit të Prishtinës dhe Bibliotekës Kombëtare.

“Ky vendim nuk është hartuar në përputhje me paragrafin 1 të nenit 47 të Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative, ku shprehimisht thuhet se akti administrativ i shkruar përmban: 1.1. pjesën hyrëse, [...], 1.2. pjesën urdhëruese (dispozitivin), [...] 1.3. pjesën arsyetuese (arsyetimin), [...] 1.4. pjesën përmbyllëse, që tregon kohën e hyrjes në fuqi të aktit, informatat për mjetet juridike, përfshirë organin publik apo gjykatën ku paraqitet mjeti juridik administrativ apo gjyqësor, formën e mjetit, afatin përkatës dhe mënyrën e llogaritjes së tij (këshillën juridike)”, ka thënë IKD-ja.

Nëse nis zbatimi i vendimit nga 1 shtatori, bllokohet në tërësi qasja me automjete në ndërtesën ku i kanë redaksitë KOHA dhe Radio Kosova, meqë Rama ka bllokuar edhe qasjen kryesore, kur e ka mbyllur rrugën “Xhorxh Bush”.

Në asnjërin rast, Komuna e Prishtinës nuk është konsultuar me menaxhmentin e asnjërës prej këtyre dy mediave, dhe as me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, nën menaxhimin e së cilës është objekti ku këto media i kanë redaksitë.

Sipas IKD-së, në raste kur merren vendime të kësaj natyre, Komuna e Prishtinës duhet të zhvillojë konsultime publike kualitative, në mënyrë që vendimi t’i marrë parasysh interesat e qytetarëve dhe të mos i cenojë të drejtat e tyre.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, ka thënë se me këtë vendim do të krijohen pengesa të mëdha në punë.

“Pengesa ka të shumta në aspektin operativ, sepse ka ekipe të shumta të gazetarëve, me pajisje, që duhet të qarkullojnë. RTK-ja e ka sigurimin te laura kryesore para Fakultetit të filologjisë dhe aty vetëm mund të bëhet një listë me automjetet që janë të autorizuara për të hyrë në atë pjesë, në atë vijë kalimi le të themi, dhe s’do të ishte problem, sepse është vetëm rrugë tranzitore. Por, nëse komuna ka paraparë ndonjë plan që të punojë ose diçka tjetër atëherë duhet të ofrojë zgjidhje alternative”, ka deklaruar Boletini.

Kundër vendimit është deklaruar më herët edhe drejtoresha menaxhuese e KOHËS, Flaka Surroi, e cila ka thënë se kryetari Rama ka marrë vendim, me shpërfillje absolute ndaj institucioneve që ka vendosur t’i izolojë sikur ishull.