Këshilli Prokurorial është kritikuar për mungesë të transparencës, për mosrespektim të kuotës gjinore dhe për masat e buta ndëshkimore karshi shkeljeve disiplinore që i bëjnë prokurorët. Gjatë prezantimit të raportit të përgatitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi është theksuar edhe mungesa e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka dështuar që të japë rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit, është thënë të enjten gjatë prezantimit të raportit: “Si duken korporatizmi dhe pandëshkueshmëria në sistemin prokurorial”, i përgatitur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Flamur Kabashi, hulumtues në këtë IKD, ka thënë se KPK-ja ka shqiptuar masa të buta kundër prokurorëve që bëjnë shkelje disiplinore.
“KPK-ja shqipton jashtëzakonisht masa të buta karshi shkeljeve disiplinore, të cilat prokurorët i bëjnë dhe masa më e rëndë është ulja e pagës për 30 për qind, me gjithë faktin që kemi masa edhe më të rënda, deri në shkarkimin e prokurorit ose prokurores në rast se gjenden shkelje konkrete. Masat disiplinore që janë shqiptuar në të gjitha rastet e KPK-së janë jashtëzakonisht të buta dhe nuk arrijnë qëllim për çka realisht shihen këto masa disiplinore”, ka thënë Kabashi.
Ai ka bërë të ditur se raporti ka gjetur që aktakuzat janë të dobëta dhe se për këtë shkak edhe dështojnë të konfirmohen shpeshherë.
“Sistemi prokurorial fatkeqësisht ka dështuar që të bëjë gjenerimin e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit, sidomos të profilit të lartë dhe në përfshirjen e rasteve të ndryshme... Në gjykatë dështojnë një numër i konsiderueshëm i aktakuzave, ku disa prej tyre nuk konfirmohen edhe pasi të ngrihen. Sa i përket cilësisë së dobët të aktakuzave, ka folur edhe vetë raporti i Komisionit Evropian për Kosovën”, ka thënë ai.
E Deona Kamberaj, hulumtuese tjetër në IKD, është shprehur se Këshilli Prokurorial ka shkelur kuotën gjinore të përcaktuar me rregullore gjatë zgjedhjes së anëtarëve.
“Asnjë prokurori në vend nuk udhëhiqet nga ndonjë grua. Nga dhjetë zyrat e prokurorive, të gjitha udhëhiqen nga burrat. E njëjta vlen edhe për Këshillin Prokurorial, i cili udhëhiqet nga një burrë. (Pa) barazia gjinore është e theksuar edhe në përbërjen e KPK-së. Nga 10 anëtarë sa ka pasur KPK deri në fund të vitit 2023, vetëm tri prej tyre kanë qenë gra. Shprehur në përqindje, në kuptim të numrit të anëtarëve prokurorë, i bie se 70% e KPK-së është përbërë nga anëtarët burra dhe vetëm 30% nga anëtaret gra”, ka thënë Kamberaj.
Në raportin e IKD-së është theksuar po ashtu se edhe ridërgimi i emrit të prokurorit, Blerim Isufaj, për dekretimin nga presidentja përbën veprim kundërkushtetues. Presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar që ta dekretojë Isufajn për kryeprokuror.