LAJMET E MBRËMJES

IKD: Qeveria dështoi me reformën në drejtësi

Sipas raportit të IKD-së, Ekzekutivi nuk ka arritur të miratojë ligjet jetike për përmirësimin e sistemit të drejtësisë e ato të miratuara u kualifikuan si iniciativa të trashëguara nga qeveritë paraprake. Kritika Ekzekutivi mori edhe për mosmiratim të strategjisë kundër korrupsionit

Reforma në drejtësi është vlerësuar e papërmbushur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Në prezantimin e raportit të titulluar “Dështimi i reformës në drejtësi”, të hënën, hulumtuesi i IKD-së, Gëzim Shala, ka thënë se Ekzekutivi nuk ka arritur të miratojë ligjet jetike që do të përmirësonin sistemin e drejtësisë. 

Sipas tij, ato të miratuara gjatë këtij mandati janë iniciativa të trashëguara nga qeveritë paraprake.

“Përderisa në fillim të mandatit është ndryshuar ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vetëm një nen dhe janë injoruar problemet e tjera të këtij ligji, pra nuk janë hapur edhe problemet e tjera. Ndërkaq tash kur po përfundon mandati, ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve ende nuk është i reformuar, ende nuk ka të drejtë ankese nëse një autoritet kompetent e hedh një ankesë disiplinore”, ka thënë Shala.

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Partinë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kritikuar pushtetin për mosmiratimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit.

“Qeveria nuk ka miratuar strategji kundër korrupsionit, është shprehje e mungesës totale të vullnetit politik për korrupsionin, po ky vend ka një standard, ai standard është qëkur njerëzit akuzohen për korrupsion, nuk ndodh si ka ndodhur në qeveritë e kaluara, jo që kanë bërë mrekulli, por qeveritë e kaluara, kryeministrat kanë bërë një distancë ndaj njerëzve të akuzuar dhe i kanë lënë të paktën organet e drejtësisë ta bëjnë punën e vet”, ka thënë ai.

E shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se problemi më i madh i vendit është korrupsioni institucional. 

“Tjetra çështje lidhet drejtpërdrejt me luftën kundër korrupsionit. Ne e kemi armik Serbinë, por armiku i shoqërisë Kosovë e Shqipëri është korrupsioni. Ne duhet të flasim hapur sidomos gjatë kësaj jave, pasi që është problem serioz që duhet luftuar nga të gjithë ne. Korrupsioni është kancer”, ka theksuar Tahiri.

Në prezantim është theksuar se sistemi i drejtësisë ka shënuar regres të konsiderueshëm shkaku i draftimeve të ligjeve, të cilat u shpallen jokushtetuese.