LAJMET E MBRËMJES

IKD-ja e vlerëson si jokushtetues draftin e Rregullores së re të Punës së Kuvendit

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka listuar një varg problemesh ligjore që ka gjetur te drafti i Rregullores së re të punës së Kuvendit. Sipas tyre, shumë dispozita të draftit, i cili muajin e kaluar është miratuar në lexim të parë, bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Ata kanë vlerësuar se as sanksionimi financiar i deputetëve, në rast të mungesës në punimet e Kuvendit, nuk është përcaktuar siç duhet

Jokushtetues është vlerësuar drafti i Rregullores së re të punës së Kuvendit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Rregullorja, e cila në shkurt të këtij viti është miratuar në lexim të parë, parasheh krijimin e “Konferencës së Kryetarëve”, në përbërje të së cilës do të jenë kryetari i Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare. Ky organ parashihet t’ua marrë Kryesisë dhe kryetarit të Kuvendit disa kompetenca që ua cakton Kushtetuta, përfshirë caktimin e rendit të ditës për seanca plenare dhe formimin e Komisioneve Parlamentare

Ky është vetëm një prej problemeve që IKD-ja ka gjetur në Rregulloren e re. Sipas hulumtuesit Jeton Hasani, me Rregulloren e re uzurpohen kompetencat kushtetuese të kryetarit e Kryesisë së Kuvendit.

“Kompetencat e kësaj Konference dhe kompetencat që i shtohen seancës plenare me Rregulloren e re, janë kompetenca të atilla të cilat ndërhyjnë në kompetencat që u garantohen me Kushtetutë kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, të cilat sipas Kushtetutës janë përgjegjëse për funksionimin administrativ të Kuvendit”, është shprehur Hasani.

Ai ka vlerësuar se Rregullorja e re duhet të fokusohet në fuqizimin e rolit të Kryesisë, ku përfaqësimi i grupeve parlamentare është i garantuar.

Sipas Hasanit, kompetencat e Konferencës së kryetarëve, nëse ajo patjetër duhet të ekzistojë, duhet të kufizohen vetëm në çështje që nuk prekin kompetencat kushtetuese të kryetarit e Kryesisë.

IKD ka vlerësuar se Rregullorja e re nuk e përcakton siç duhet as sanksionimin financiar të deputetëve, në rast të mungesës në punimet e Kuvendit.

“Sanksionimi i tillë financiar i deputetëve pa dyshim që është një gjë e mirëpritur duke qenë se shpeshherë deputetët shpërfillin detyrat e tyre dhe kjo ka ndikuar në të kaluarën që të kemi probleme të theksuara në efikasitet të Kuvendit. Mirëpo, duhet të kemi parasysh që Rregullorja e re dështon të njohë edhe format legjitime të veprimit politik, të cilat nuk kufizohen vetëm në pjesëmarrjet fizike në Kuvend, siç është rasti i bojkotit opozitar”, ka deklaruar Hasani.

Problemet e tjera që IKD-ja ka gjetur te Rregullorja e re janë edhe delegimi i kompetencave të kryetarit të Kuvendit te nënkryetarët, mocioni i mosbesimit edhe për ministra veç e veç e zvogëlimi i mandatit të Kuvendit në vetëm 3 vjet e 10 muaj, që, sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën.

Problematike janë vlerësuar edhe tentimi që me Rregulloren e re deputetët të obligohen të marrin pjesë në votim, mungesa e përcaktimit të qartë të përjashtimit të deputetëve nga vendimmarrja në rast të konfliktit të interesit, përzierja e grupit parlamentar me subjektin politik e roli që i është dhënë kryetarit të Kuvendit në publikimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.

IKD-ja ka vlerësuar se duhet edhe minimizim i rolit të seancës në vendimmarrje për çështjet procedurale të funksionimit të Kuvendit, në mënyrë që, siç kanë thënë ata, opozita të mos bëhet e papërfillshme. Çështjet procedurale, sipas tyre, duhet të vendosen në Kryesi, ku përfaqësimi i opozitës është i garantuar me Kushtetutë.