Raportet në mes të Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Gjyqësor e atij Prokurorial, kanë ndikuar në realizimin e reformës në drejtësi, thonë në Institutin për Drejtësi.
Në publikimin e raportit për “Problemet e reformës në drejtësi” nga drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, u tha se kritikat mes institucioneve kanë ulur besimin që ato kanë interes të përbashkët për të adresuar reformën.
“Në vitet e fundit kemi parë që Ministrisë e Drejtësisë nuk është që ka respektin e duhur për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës, qoftë në adresimin e komenteve, qoftë në përmbushjen e obligimeve që kanë dal nga deklarata e zotimeve. Në anën tjetër është e vërtet që edhe Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial nuk është që i mbajnë parimet të cilat do të siguronin të kemi një proces transparent dhe një pjesëmarrje të të gjithë akterëve në hartimin e politikave”, ka deklaruar Miftaraj.
Kritika ndaj Ministrisë së Drejtësisë, prej IKD-së kishte edhe sa i përket plotësim/ndryshimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“IKD ka identifikuar edhe një planifikim joadekuat si situatën kur projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për KPK-në aktualisht është duke u shqyrtuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në anën tjetër projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për këtë është po ashtu pjesë e pakos së projektligjeve që dalin nga deklarata e përbashkët e zotimeve. Këtu paralelisht Ministria e Drejtësisë është duke i zhvilluar dy procedura të ndara lidhur me plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për KPK-në”, ka thënë Melos Kolshi.
Me gjetjet e raportit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, nuk është pajtuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ka thënë se nuk i kanë informacionet e duhura.
“Mendoj që nuk qëndrojnë, është e vërtetë që për disa reformë ne kemi pasur mungesë të bashkëpunimit, për faktin se ju e dini tashmë ka qëndrime publike. Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial, nuk i kanë mbështetur amendamentet Kushtetuese për Vettingun, megjithatë ato janë në Kuvendin e Kosovës dhe për faktin që ata nuk kanë pasur si me thënë mbështetje për këto procese natyrisht se pastaj ka pasur edhe deklarata publike për të njëjtat”, ka potencuar Haxhiu.
Ndërmarrjen e veprimeve në drejtim të reformës në drejtësi, Haxhiu e ka arsyetuar me premtimet e dhëna dhe zotimin për përmbushjen e tyre.