LAJMET E MBRËMJES

IKD: Draftkodi i sjelljes së deputetëve, në kundërshtim me Kushtetutën

Kritika për përmbajtjen e draftkodit të sjelljes së deputetëve kanë adresuar të premten përfaqësues të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). Gjatë publikimit të raportit për këtë kod, ata e kanë kualifikuar draftin, i cili ka kaluar në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, si në kundërshtim me Kushtetutën, me Rregulloren e Kuvendit dhe me standardet e parlamenteve demokratike. Ata kanë kërkuar që ai të ndryshohet para se ta marrë miratimin final në Kuvend

Kërkesë që draftkodi i sjelljes së deputetëve të mos miratohet në Kuvend, me përmbajtjen aktuale që e ka, kanë shprehur të premten në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Në prezantimin e raportit: “Kodi i sjelljes së deputetëve”, përfaqësues të IKD-së kanë thënë se ky draftkod, i cili është miratuar nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion, nuk është në pajtim me Kushtetutën, me Rregulloren e Kuvendit dhe me standardet e parlamenteve demokratike.

Naim Jakaj, hulumtues në IKD, ka kërkuar që ai të ndryshohet para se ta marrë miratimin përfundimtar në Kuvend. 

“Kuvendi duhet të përfshijë në Kod vlerat dhe standardet ndërkombëtare, të cilat duhet të reflektohen në punën e përditshme të deputetëve. Ata duhet të shohin parimet e Kodit si aspekte pozitive dhe jo detyruese, gjë që draftkodi aktual nuk arrin ta bëjë... Draftkodi i propozuar nuk u lejon deputetëve të kundërshtojnë vendimin e shumicës në format të shkruar ose të japin mendime konkurruese, kur pajtohen me votimin, por jo edhe me arsyetimin e dhënë”, ka thënë Jakaj.

Ai ka vlerësuar se suspendimi dhe përjashtimi nga seancat e radhës i deputetëve të cilët përdorin gjuhë joparlamentare bie në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

“Ai (Kodi) përqendrohet në mënyrë ekskluzive te rregullimi i sjellës së deputetëve mes sanksioneve përjashtuese dhe financiare të cilat përbëjnë dobësim të demokracisë përfaqësuesve, kufizimet që janë vendosur përmes këtij kodi reflektohen me cenim të përfaqësimit të qytetarëve përmes deputetëve që ata kanë zgjedhur. Përjashtimi i deputetëve nga 3 seancat e ardhshme plenare, është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit”, ka thënë Jakaj. 

Në IKD kanë propozuan që Këshilli për Etikë, i cili e mat nivelin e shkeljeve në Kuvend, të jetë i barabartë në përbërje ndërmjet shumicës dhe opozitës parlamentare, që të përfshijë edhe ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese (KGJK), si dhe që kryesimi të bëhet nga opozita apo me rotacion.