LAJMET E MBRËMJES

Ibishi thotë se vendimet në Llap merreshin nga komanda e zonës e jo nga Shtabi i Përgjithshëm

Ish-komandanti i Brigadës 153 të UÇK-së, Nuredin Ibishi, ka thënë se vendimet si ato për ndalimin e personave që shiheshin si bashkëpunëtorë të armikut, për lirimin e tyre si dhe për caktimin e pozitave brenda Zonës Operative të Llapit i merrte komanda e kësaj zone. Ibishi tha po ashtu se gjatë vizitës së anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm në Llap gjatë gushtit të 98-s nuk e diti se çfarë pozite mbante Hashim Thaçi

Në ditën e dytë të dëshmisë së tij para Dhomave të Specializuara, dëshmitari Nuredin Ibishi, tha të enjten, se për ndalim e lirim të personave nga UÇK-ja në Llap vendoste komanda e Zonës Operative për këtë rajon.

Ish-komandanti i Brigadës 153, u shpreh se vendimet për ndalime nuk erdhën nga Shtabi i Përgjithshëm, pjesë e të cilit ishin katër të akuzuarit e Speciales: Hasim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

“Ai ka qenë një vendim i komandës domethënë lidhur me ndalimin e personit ka qenë vendim i komandës. Nuk e di tash në mënyrë specifike kush e ka thënë, mirëpo vendimi lidhur me ndalimin e personave ka qenë në nivel të komandës së zonës”, tha Ibishi.

Foli edhe për një rast kur udhëheqësi i Zyrës politike të UÇK-së në Prishtinë, Adem Demaçi, kërkoi me ngulm lirimin e policit serb Goran Spiliq që ishte ndaluar në Llap. 

Sipas Ibishit, polici serb u lirua vetëm pasi komandës së udhëhequr nga Rrustem Mustafa iu duk e arsyeshme. 

E për ndalimin e rojës së pyllit, Milovan Stankoviq, tha se nuk patën zgjidhje tjetër, pasi siç u shpreh ai, serbi i sulmoi pozicionet e UÇK-së. 

Ibishi e konfirmoi po ashtu deklaratën paraprake dhënë prokurorisë, të cilës i tha se  gjatë vizitës së anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm në Llap gjatë gushtit të 98-s nuk e diti se çfarë pozite mbante Thaçi. Nga anëtarët e shtabit tha se dallohej Bislim Zyrapi.

Sipas dëshmitarit Ibishi, Shtabi i Përgjithshëm vendoste se si duhej të strukturohej UÇK-ja në nivelin madhor – siç ishte organizimi në brigada e batalione. E për pozitat në zonën operative, vendoste komanda lokale.

“Ajo është bërë me një procedurë brenda strukturës. Bëhej propozimi pasi që kisha mandatin e komandantit të brigadës për postet e caktuara. Bëja propozim te komanda, te komandanti, zëvendëskomandanti dhe ai i bënte vlerësimet dhe konform kësaj, ai bënte edhe postimet, gjegjësisht vendimet për postim në pozicion të caktuar në kuadër të kësaj strukture organizative”, tha Ibishi. 
Nuredin Ibishi do ta vazhdojë dëshminë e tij edhe javën e ardhshme.