Projektligji për rishikimin e buxhetit dhe ai për pagën minimale kanë kaluar në Komisionin parlamentar për buxhet, duke i hapur rrugë shqyrtimit të mëtejmë të këtyre dokumenteve në seancë plenare. Ligjvënësit opozitarë kritikuan projektligjet, por bojkotuan procesin e votimit.
Ka kaluar në Komisionin parlamentar për Buxhet Projektligji që përmban ndryshimet e buxhetit të vitit 2022, e edhe ai që i hap rrugë rritjes së pagës minimale.
Deputetët e shumicës parlamentare kanë dhënë votën për, ani se gjatë mbledhjes janë dhënë kritika nga ligjvënës opozitarë, të cilët thanë se nuk sigurohet gjithëpërfshirja me këto projektligje.
Tek ka arsyetuar rishikimin e buxhetit, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka përmendur nevojën për t’i ndihmuar shumë kategori qytetarësh me nga 100 euro.
“100 euro mund të mos zgjidhin shumë nevoja të familjeve, por i ndihmojnë ato. Franca ka ndarë nga 100 euro për familje, ani pse atje rroga e kalon 2 mijëshin”, ka thënë ai.
E, përkundër që Qeveria është përcaktuar që paga minimale të jetë 164 euro, dhe jo në lartësinë sa kanë kërkuar opozita dhe sindikatat, ministri Murati ka thënë se me të do të ndihmohen shumë qytetarë.
“Ideja e pagës minimale është për ta siguruar një minimum të dinjitetshëm për ata që hynë në tregun e punës”, ka shtuar ai.
Deputetë opozitarë patën kritika mbi përmbajtjen e Projektligjit.
“Ju mund ta shtyni përpara këtë projektligj për rishikim të buxhetit. Por, nuk i plotësojnë kushtet bazike të menaxhimit të financave publike. Andaj, nëse e çoni në Kuvend mund t’ju bëhet shkelja e pestë kushtetuese”, ka thënë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Ligjvënësit opozitarë kritikuan, por nuk morën pjesë në procesin e votimit. Ata janë përcaktuar për ta bojkotuar vendimmarrjen në Kuvend, për aq kohë sa nuk themelohet komisioni hetimor për energjinë.