LAJMET E MBRËMJES

Hovenier: Vendimet e Qeverisë të koordinuara me SHBA-në e BE-në

Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur qëndrimin se është në të drejtën e Kosovës t’i zbatojë të dyja vendimet, kundër të cilave është vënë Serbia dhe serbët e veriut. Ambasadori Hovenier ka thënë se vendimet ishin marrë në koordinim me SHBA-në dhe BE-në. Pas zhvillimeve të së dielës në veri, sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Kurti

Institucionet e Kosovës kanë qenë të koordinuara me ndërkombëtarët lidhur me vendimet e marra për t’i vënë masë reciprociteti Serbisë për dokumentet identifikuese e edhe për të vendosur afat për ndërrimin e targave, ka bërë të ditur të martën ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier.

“SHBA-ja mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet hyrëse/dalëse, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, ka shkruar Hovenier në Tëitter.

Shtyrja për një muaj e hyrjes në fuqi e vendimeve për reciprocitet në dokumentet identifikuese dhe për regjistrimin e targave ilegale në RKS, është bërë me kërkesë të ambasadorit amerikan, i cili me të nisur tensionimi i situatës në veri të Kosovës të dielën mbrëma, takoi krerët e shtetit – presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti.

Shpalosjen e kërkesës për shtyrjen e afatit të zbatimit, Hovenier e bëri duke sqaruar se nuk do ta kërkojë rishikimin e vendimeve të marra.

E, për koordinimin me ndërkombëtarët për vendimet, është theksuar edhe në një informatë që Qeveria e ka lëshuar për një bisedë telefonike të zhvilluar gjatë së martës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se qytetarët e Kosovës janë informuar mirë për masat në ardhje, se masat janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, si dhe që zbatimi i tyre është koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në informatën e Qeverisë. “Kryeministri Kurti e informoi Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg se mediat e kontrolluara nga Qeveria e Serbisë kanë zbatuar një fushatë dezinformimi gjatë muajit të fundit, duke u përpjekur të ndërtojnë një narrativë të rreme dhe negative për këto masa në ardhje. Është vërtetuar tashmë se këto fushata dezinformuese po ndihmohen nga shteti rus, në përpjekjen për të destabilizuar Ballkanin”.

Në këtë informatë është theksuar se Stoltenberg e ka siguruar kryeministrin Kurti për angazhimin dhe bashkëpunimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka pasur një deklarim për telefonatën

“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit tonë. Të gjitha palët duhet ta ruajnë qetësinë, t’i shmangin veprimet e njëanshme dhe ta mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar Stoltenberg.

Por, detaje të tjera nga qëndrimi i NATO-s ka shpalosur ish-pjesëtari i ushtrisë italiane, Thomas Theiner. Sipas Theiner – e që është edhe ekspert për forcat tokësore të Luftës së Ftohtë të NATO-s dhe strategjinë e mbrojtjes së Aleancës – Serbia është paralajmëruar se do të përballet me pasoja në rast të ndonjë veprimi sulmues në Kosovë.

“Mendoj se oficerët e Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë i kanë shpjeguar presidentit Vuçiq mbrëmë, se nëse ai guxon ta sulmojë Kosovën, avionët luftarakë të NATO-s do të përgjigjen brenda pak orësh. Brenda 48 orëve Brigada 173 Ajrore e Ushtrisë Amerikane do të ishte transferuar në aeroportin e Prishtinës, kurse brigada e parashutave të ushtrisë italiane ‘Folgore’ në aeroportin e Gjakovës (të cilin ushtria italiane e ndërtoi për këtë qëllim)”, ka shkruar Tyner në Twitter.

Tyner ka thënë se NATO-ja është përkujdesur, që gjeneralët e Serbisë t’i kuptojnë veprimet, që do t’i ndërmerrnin.

“Nëse serbët ndonjëherë shkojnë dhe sulmojnë NATO-n, Forcat e Aleancës do t’i tejkalojnë ata në ajër për disa orë, dhe në tokë për disa ditë. Dhe NATO-ja u kujdes, që gjeneralët e Serbisë ta dinin këtë”, ka shkruar ai.

Largimi i barrikadave të vendosura në rrugët e veriut të vendit, që çojnë në pikëkalimet kufitare me Serbinë – Jarinje dhe Bërnjak – ka qenë kushti i vendosur nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që ta pezullojë për një muaj hyrjen në fuqi të dy vendimeve të marra në qershor. Planifikimet e institucioneve të Kosovës, ishin që shtetasve të Serbisë, të mos iu njihen dokumentet identifikuese me të hyrë në Kosovë, ngjashëm siç veprojnë autoritetet serbe me kosovarët. Për rrjedhojë, serbët duhej të pajiseshin me një fletëdeklarim për hyrje-dalje. Po ashtu nga 1 gushti, serbët, që posedojnë targa ilegale kishin kohë dy muaj që t’i ndërronin ato në RKS. Por, me t’u afruar koha e hyrjes në fuqi të dy vendimeve, serbët në veri të Kosovës, përmes bllokimit të rrugëve, që çojnë në të dyja pikat, shprehën kundërshtimin e tyre.

Derisa vendimi për dokumentet identifikuese filloi së zbatuari në pikat e tjera kufitare, ato në Jarinjë e Bërnjak, për shkak të bllokadave nuk ishin të lira për qarkullim. Me t’iu bindur kushtit të vendosur për heqjen e barrikadave, ekzekutivi pezulloi hyrjen në fuqi të dy vendimeve, derisa Bashkimi Evropian iu bëri ftesë krerëve të të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, që të takohen në Bruksel e të diskutojnë për të gjitha çështjet e hapura.