Hovenier ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara po përballen me disa sfida me Qeverinë e tanishme të Kosovës, e për të cilat ka thënë se kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit të ndërsjellë. Megjithëkëtë, Hovenier ka theksuar se raporti me Qeverinë nuk e dikton atë me popullin e Kosovës
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur të mërkurën konstatimin për zbehjen e kualitetit në raportet midis Qeverisë së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Hovenier ka theksuar se në këtë kanë ndikuar disa veprime, të cilat janë ndërmarrë nga qeveria aktuale e kryeministrit, Albin Kurti.
“Po përballemi me disa sfida me Qeverinë e tanishme të Kosovës, të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha më herët, Qeveria amerikane shpreson se Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Hovenier të mërkurën, në një konferencë për media.
Thuajse gjatë gjithë mandatit të Qeverisë aktuale, ambasadori Hovenier dhe kolegë të tij të një numri vendesh të Perëndimit kanë kundërshtuar disa vendime të autoriteteve të Kosovës, të cilat lidhen me shtrirjen e sovranitetit në veriun e banuar kryesisht me serbë – nga ndalimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë e deri te çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndaj Kosovës, SHBA-ja ka reduktuar mbështetjen në lobim, ndërkaq takimet e zyrtarëve të Qeverisë me homologë perëndimorë janë rralluar.
Ambasadori Hovenier theksoi se raporti me Qeverinë nuk e dikton atë me popullin e Kosovës.
“Edhe pse disa fusha të bashkëpunimit me Qeverinë e tanishme të Kosovës mbesin më pak pozitive se që do të kishim shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë e i hekurt si gjithmonë”, ka thënë ai.
Në kohën kur ambasadori amerikan i ka bërë këto kritika, kryeministri Kurti ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku ka marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokrate. Në margjina të ngjarjes së organizuar në Chicago, Kurti është takuar edhe me një numër senatorësh.