Mosmarrja parasysh e kërkesës së SHBA-së për pezullim të Rregullores së BQK-së ka ndikuar në raportet mes dy vendeve, ka thënë ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. Ai e ka quajtur pamaturi të Qeverisë mosmarrjen parasysh të kërkesës së SHBA-së
Qeveria e Kosovës është demantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me raportet mes dy vendeve.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se mosmarrja parasysh e kërkesave në lidhje me Rregulloren e BQK-së për valutat e huaja ka ndikuar në marrëdhëniet që ka SHBA-ja me Qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti.
“Duhet të jem i qartë se thjesht nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është kështu. Siç deklaroi ndihmës sekretari O'Brien, kjo situatë tashmë ka ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë mes dy qeverive tona. Çdo sugjerim për të kundërtën pasqyron një keqkuptim themelor ose një keqinterpretim të rëndësisë që ne i kushtojmë zgjidhjes së kësaj çështjeje në një mënyrë që i përgjigjet shqetësimeve tona, dhe më e rëndësishmja, e bërë në një mënyrë që siguron mbështetje të vazhdueshme për njerëzit e cenueshëm nga komunitetet pakicë të Kosovës”, ka thënë Hovenier.
Ambasadori amerikan u shpreh se refuzimi i Qeverisë të marrë parasysh kërkesat e SHBA-së është pamaturi.
“Qeveria ime ka qenë e qartë. Ne kemi kërkuar shtyrje në zbatim, ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë. Pra, po, unë shpresoj që Qeveria të marrë parasysh këshillën tonë dhe në vend që thjesht të thotë se ata po flasin me ne për këtë, në fakt të veprojë në përputhje me atë që kërkojmë. Kjo është pritshmëria jonë për partneritet”, ka shtuar Hovenieri.
Me gjithë shqetësimet e shprehura, Hovenier ka theksuar se nuk mund të flasë për masat që mund të ndërmerren ndaj Qeverisë.
Reagimi i Hovenierit u bë pas deklarimit të kryeministrit Kurti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri e aleati më i rëndësishëm që ka Kosova.
SHBA-ja, por edhe vendet e tjera perëndimore kanë kundërshtuar hyrjen në fuqi të Rregullores së BQK-së që pos euros ndalon çdo valutë, përfshirë edhe dinarin e Serbisë për operacione me para kesh. Dinari përdoret në komunat me shumicë serbe.