Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, ka përmbyllur misionin në Kosovë. Të premten, në takim lamtumirës u prit edhe nga presidentja Vjosa Osmani. Hovenier, i cili ka qenë pjesë e negociatave që i kanë paraprirë çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, tha se po largohet si mik më i mirë i saj se sa që ka qenë kur ka ardhur.
Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, e përmbylli shërbimin në Kosovë ashtu siç e filloi.
Takoi presidenten Vjosa Osmani e kurorë me lule vendosi pranë shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova, në qendër të Prishtinës.
Ai tha se po largohet si mik më i mirë i Kosovës se që ka qenë kur ka ardhur.
“Kur mendoj se si ka qenë ky shtet kur kam filluar të punoj për të, në fund të viteve të 90-ta, dhe kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë në realizimin e vizionit të tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha Hovenier.
Ambasadori Hovenier ka qenë kritik ndaj Qeverisë, veçmas për çështje që lidhen me veprimet në veri dhe me dialogun me Serbinë. Ka folur edhe për lëkundje raportesh mes qeverive, por të premten tha se shteti që përfaqësoi do që të mirëmbahen raportet.
“SHBA-ja është e përkushtuar ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë”, deklaroi ai.
E presidentja Osmani veçoi kontributin e Hovenierit, jo vetëm gjatë shërbimit si ambasador, por edhe për angazhimin para shpalljes së pavarësisë.
“Ka qenë kënaqësi e veçantë që të bashkëpunojmë në tri vite, të punojmë shumë afër në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës, qytetarëve të SHBA-së dhe mbi të gjitha, në mbrojtjen e themeleve të kësaj aleance ekzistenciale për popullin tonë”, tha Osmani.
Hovenier zyrtarisht e nisi detyrën e ambasadorit në janar të vitit 2022.
Me Kosovën është njohur qysh më 1999, kur ishte pjesë e delegacionit të SHBA-së për bisedimet Kosovë–Serbi në Konferencën e Rambujesë. Atëkohë ishte në stafin e të dërguarit të OKB-së për këto negociata, Martti Ahtisaari.
Për kontributin e tij, Hovenier është dekoruar me Medalje presidenciale në dhjetëvjetorin e Pavarësisë, nga presidenti i asaj kohe, Hashim Thaçi.
Shërbimit në Kosovë, i ka paraprirë një karrierë e gjatë. Paraprakisht ka qenë zëvendësshef i Ambasadës së SHBA-së në Turqi, e si diplomat në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.