Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se NATO-ja është e gatshme t’i përgjigjet çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë dhe integritetit territorial të Kosovës. Deklaratën e bëri një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, aludoi në një pushtim të Kosovës duke thënë se shteti i tij do ta presë momentin më të mirë të mundshëm për ta shfrytëzuar rastin. Por Hovenier ka theksuar se, sa për këtë kërcënim, kosovarët s’kanë pse ta prishin gjumin
Populli i Kosovës nuk duhet të shqetësohet për kërcënimet e ndryshme ndaj integritetit territorial apo sigurisë, ka thënë të mërkurën ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Qëndrimin e ka shpalosur një ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se Serbia “do ta presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzojë rastin”, duke aluduar në pushtim të Kosovës.
Por diplomati amerikan ka rikujtuar prezencën e NATO-s, pjesë e së cilës është edhe kontingjenti i ushtarëve amerikanë.
“Forca e NATO-s përfshin disa qindra ushtarë amerikanë që qëndrojnë me aleatët e NATO-s për të garantuar lirinë e lëvizjes, mjedis të sigurt dhe të qetë dhe është një parandalues i plotë për çdo lloj sulmi për të cilin njerëzit shqetësohen. Vetëm mund të them se përkushtimi ynë për sigurinë e Kosovës, garancitë e sigurisë që kanë dhënë Shtetet e Bashkuara, mbeten po aq të forta. Dhe ne nuk e humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë kërcënim, sepse ne besojmë se NATO-ja është e përgatitur dhe e gatshme”, ka deklaruar Hovenier pas takimit që ka pasur të mërkurën me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi. “Dhe nuk mendoj se populli i Kosovës duhet ta prishë gjumin për këtë, sepse Aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prani shumë të fuqishme këtu, e gatshme për të bërë të nevojshmen”.
Diplomati amerikan ka folur edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke thënë se janë të vetëdijshëm për zgjedhjen që ka bërë Kosova.
“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta mbështetur këtë qëllim, besojmë se do të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Kosova përballet me një sfidë pasi disa anëtarë të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën, siç e kanë njohur Shtetet e Bashkuara dhe shumë nga partnerët tanë, si shtet sovran dhe të pavarur. Ne duam ta shohim atë ndryshim. Ne duam të shohim të ardhmen e Kosovës në NATO”, është shprehur Hovenier. “Tani për tani unë do t’i kundërshtoja ata që duan të bëjnë krahasime dhe kontraste se kush qëndron ku në marrëdhënie me kë. Ka një angazhim të madh që avancon Kosovën të sigurt, duke përfshirë nëse ajo zgjedh ta ushtrojë atë ashtu siç bën, është e drejtë të shkohet drejt anëtarësimit në NATO”.
Një ditë më herët homologu i Hovenierit në Beograd deklaroi se Serbia është më afër NATO-së sesa Kosova. I pyetur rreth kësaj deklarate, Hovenier tha se i kundërshton të gjithë ata që bëjnë krahasime të tilla.
Deklarata e ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, nxiti reagime tek udhëheqësit e Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani tha se Serbia as që mund të ëndërrojë t’i bashkohet NATO-s.
“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s sesa Serbia dhe ajo është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia që vazhdimisht ka shkelur vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet që shkelin rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare, siç është Serbia – lëre që është larg NATO-s, por as nuk mund të ëndërrojë të jetë pjesë e NATO-s. E dyta, Serbia vetë për shkak se është anti vlerave të NATO-s nuk ka shfaqur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet në NATO”, ka theksuar Osmani. “Është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO, sepse është kundër NATO-s. E treta, Serbia është një shtet që para pak muajsh ka kryer një akt agresioni kundër Republikës së Kosovës, vazhdimisht tenton të shkatërrojë Bosnjë-Hercegovinën nga brenda dhe të njëjtën e bën edhe në Malin e Zi”.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka shtruar nevojën për përforcime ushtarake, pas kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë. Ai ka thënë që Britania e Madhe duhet të dërgojë më tepër trupa në Kosovë për të parandaluar një luftë në Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për “The Telegraph”, ai ka deklaruar se ka vetëm një prezencë “simbolike” të NATO-s në Kosovë dhe nuk do të mjaftonte të parandalohej një pushtim nga Serbia.
“Britania e Madhe është pjesë e NATO-s dhe vepron dhe operon në atë mënyrë. Besoj se duhet të ketë më tepër trupa të NATO-s në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se NATO-ja mund dhe duhet të angazhohet më tepër në Kosovë si në aspektin ushtarak ashtu edhe politikisht.
Aktualisht në Kosovë janë rreth 4500 ushtarë të NATO-s.
Veç kërkesës për rritjen e prezencës, Kosova prej vitesh ka shprehur synimin për anëtarësim në Aleancën Veriatlantike, katër anëtarë të së cilës ende nuk ia njohin shtetësinë.