LAJMET E MBRËMJES

Hovenier: Ka forca të huaja që duan ta minojnë demokracinë e Kosovës

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në Kosovë “ka forca të huaja keqdashëse që janë aktive dhe duan ta minojnë demokracinë”, duke shfrytëzuar ndarjen etnike. Në Konferencën për Integritetin e Informacionit, e organizuar nga NDI-ja, diplomati amerikan u shpreh se nuk mund të lejohet që kjo të ndodhë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të martën se demokracia e Kosovës po tentohet të sfidohet duke shfrytëzuar ndarjet etnike.

Hovenier paralajmërimin e dha gjatë fjalës së tij në një konferencë për integritetin e informacionit DISICON, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI).

“Ka forca të huaja keqdashëse që janë aktive dhe duan ta minojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar ndarjen etnike. Ne nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë”, ka thënë ambasadori Hovenier.

Ambasadori amerikan gjithashtu theksoi se gjatë proceseve zgjedhore ka tendenca më të mëdha për keqinformim.

“Keqinformimi mund të sjellë pasoja të rënda gjithmonë, por mendoj, në veçanti gjatë periudhës zgjedhore. Është jetësore që qytetarët të kenë qasje në informata të sakta që të mund të marrin vendimet më të mira që munden për të ardhmen e shtetit të tyre”, ka theksuar ai.

Ai ia kujtoi audiencës një bisedë të rreme të publikuar në rrjetet sociale disa vjet më parë, e cila përfshinte një bisedë të rreme mes tij dhe kryeministrit Kurti dhe që kishte për “synim të mbillte mosbesim brenda komunitetit serb të Kosovës”.

“Fatmirësisht jo shumë njerëz e morën seriozisht… Por, fakti që një aktor shkroi një skenar, përgatiti një skenar, krijoi një regjistrim krejtësisht të dizajnuar për të mbjellë mosbesim dhe shqetësim në komunitetin serb dhe e publikoi atë në rrjetet sociale, është një tregues i këtij problemi”, theksoi ambasadori amerikan.

Hovenier, i cili po e përfundon mandatin e tij në Kosovë në fund të dhjetorit dhe po pensionohet, theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës si një vend i larmishëm dhe në mbështetje të medieve të pavarura, përfshirë ato që drejtohen nga pakicat.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për mediet që ofrojnë informacion të paanshëm dhe të saktë. Jemi të vetëdijshëm se ka disa që përpiqen të shfrytëzojnë këtë pretendim për të bërë diçka krejtësisht tjetër, për të dhënë një mesazh që synon qëllime shumë, shumë të ndryshme nga informimi i komunitetit. Kjo duhet të denoncohet dhe ne duhet t’i mbështesim mediet e pavarura”, ka theksuar ai.

Në ditën e parë të kësaj konference është prezantuar studimi i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ku është thënë se fushatat dezinformuese në vend shpërndahen qëllimshëm për t’i tensionuar marrëdhëniet ndëretnike.