LAJMET E MBRËMJES

Hovenier: Dialogu të përfundojë me njohje reciproke, Kosova është e pavarur, nuk është pjesë e Serbisë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke, është shprehur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai gjithashtu i është kundërpërgjigjur deklaratës së “Kuvendit Gjithëserb” duke thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe jo pjesë e patjetërsueshme e Serbisë. E kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Kosova ka problem me Qeverinë e Serbisë pikërisht për shkak të mosdistancimit nga Slobodan Milosheviqi dhe Vladimir Putini.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, nënvizoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor 2024, që u mbajt në Prishtinë, Hovenier u shpreh se çdo marrëveshje që nuk e përfshin njohjen e ndërsjellë nuk e përmbush vizionin për Evropë të lirë e në paqe.

“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja reciproke në mes të dy shteteve. Çka do tjetër më pak se kaq, nuk e përmbush vizionin për Evropë të plotë, të lirë, të begatë e në paqe”,  tha Hovenier. 
Në këtë samit Hovenier dha edhe një kundërpërgjigje ndaj “Kuvendit Gjithëserb”, i cili u mblodh të shtunën dhe miratoi një deklaratë me të cilën e përfshinte Kosovën si pjesë të patjetërsueshme të Serbisë.

“Mund të them vetëm se kjo nuk është pikëpamja e qeverisë sime dhe e partnerëve tanë. Kosova nuk është (pjesë e Serbisë). Ne e njohëm si një shtet sovran, demokratik dhe të pavarur. Kjo nuk është për t’u rishikuar apo për t'u negociuar. Është për t'u njohur, për t'u njohur, për t'u festuar. Dhe kjo duhet të jetë pjesë e suksesit të rajonit”, tha Hovenier. 

Për raportet e Kosovës me Serbinë foli edhe kryeministri Albin Kurti. 

Ai tha se Kosova nuk ka problem me serbët lokalë në komunat veriore, por me Beogradin që s’u distancua nga Milosheviqi.

“Problemi që kemi nuk është fare me serbët. Problemet që kemi janë me Beogradin, i cili nuk u distancua as nga Milosheviqi në të kaluarën ose nga Putini në të tashmen. Ky është problemi që ne kemi. Është me fqinjin verior. Sërish, jo si popull por si Qeveri, si regjim dhe aspak me serbët e Kosovës që janë duke u integruar në komunat veriore”, tha Kurti. 

Në deklaratën e përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe Republikës Sërpska, mes tjerash u insistua që Kosovës t’i referohet me emrin “Kosova dhe Metohija”.