Nuk duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë pa u trajtuar seriozisht çështja e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ka thënë kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, para Komisionit për të Drejtat e Njeriut të hënën.
Hoti tha se Serbia duhet të kushtëzohet nga faktori ndërkombëtar për të bindur të trajtojë çështjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
“Shpresojmë të arrijmë t’i bindim palën ndërkombëtare që e drejta themelore në radhë të parë, e familjarëve për të ditur duhet të jetë në radhë të parë dhe pastaj çështjet e tjera, por nuk kemi arritur ende që ta bindim, që ta kushtëzojë Serbinë”, tha Hoti.
Sipas Hotit, dyshohet edhe për një varrezë masive në Shtavall të Serbisë, për të cilën nuk janë lejuar gërmimet.
E Kushtrim Gara, nga po ky Komision, tha se mungesa e shkakut të vdekjes në dokumente është përpjekje e Serbisë për shtrembërim të së vërtetës.
“Pas riekzaminimit në institutin tonë ekspertët tanë kanë arritur që në shumicën e rasteve të evidentojnë ose përcaktojnë shkakun e vdekjes. Dhe mungesa e shkakut të vdekjes në dokumentet serbe padyshim që është një përpjekje e tyre në vazhdimësi të mohimit apo shtrembërimit të së vërtetës”,m tha Gara.
Në Komisionin për Drejtat e Njeriut të hënën u diskutua edhe për Ligjin për personat e zhdukur, Ligjin për pensione dhe Ligjin për kategori të dala nga lufta.
Kryetari i Këshillit Koordinues të familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës, Ahmet Grajqevci, kritikoi Qeverinë Kurti, por edhe të tjerat më herët, për mospunë sa u përket ligjeve.
“7 vjet syratum për një Ligj për familjarët, eja Qeveria Kurti, eja Qeveria Hoti, eja Qeveria Thaçi, asnjëra nuk arritën të bëjnë, të kenë një tro mëshirë për këto familje që t’u japin. Familjarët me të vërtetë janë në ankth, në pritje për më të dashurit e tyre dhe po t’u japësh miliona nuk do të jenë boll, nuk do të jenë të kënaqur, se jo në kushtet ku jetojnë”, tha Grajqevci.
Në Kosovë janë mbi 1600 persona të zhdukur me forcë nga policia e ushtria serbe gjatë luftës së fundit.