Ish-kryeministri e anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të ndërrohet udhëheqja e partisë, pas rezultatit zgjedhor të saj, që ai e quajti të dobët. Hoti tha se udhëheqja aktuale ka favorizuar një numër njerëzish dhe ka përjashtuar ata që kanë qenë pjesë e trashëgimisë së LDK-së ndër vite. Por, nënkryetarët e partisë e vlerësuan si qesharake kërkesën e Hotit
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, ka kërkuar publikisht që udhëheqja aktuale e partisë të ndërrohet.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, të martën, Hoti e vlerësoi të dobët rezultatin që partia e arriti në zgjedhjet e 9 shkurtit e për këtë ai tha se LDK-ja duhet të reflektojë, duke e sjellë një lidership të ri.
Ai shprehu ankesë se në katër vjetët e udhëheqjes aktuale LDK-ja u distancua nga e kaluara dhe nga njerëzit që kanë qenë pjesë e saj, gjë që, sipas tij, e ka cenuar besimin e elektoratit tradicional të partisë.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është Kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë. LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë”, ka shkruar Hoti.
Hoti tha se gjatë periudhës elektorale e edhe gjatë përpilimit të listës zgjedhore udhëheqja e LDK-së favorizoi persona të caktuar, duke e paraqitur një numër të ngushtë të tyre në fushatë e edhe në media. Sipas tij, raporti kolegjial brenda partisë u rëndua edhe më shumë me votimin që ai e quajti disproporcional në diasporë.
“Në votimin në ambasada, një parti politike (LVV) është votuar në mënyrë tepër joproporcionale krahasuar me votimin në Kosovë. Në votimin me postë, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar po ashtu joproporcionalisht krahasuar me votimin në Kosovë. Të dy këto dukuri, kur analizohet komunë për komunë, duket qartë se nuk janë aspak të natyrshme. Ky fenomen ka krijuar pasiguri në gjithë procesin zgjedhor. Përtej kësaj, në rastin e LDK-së është lënduar kohezioni i brendshëm i strukturave të partisë, si dhe është cenuar besimi i votuesit tradicional të LDK-së”, ka shtuar Hoti.
Por, kërkesa e Hotit për ndryshim të udhëheqjes nuk është marrë seriozisht në parti. Në një përgjigje për KOHËN, nënkryetarja Doarsa Kica-Xhelili e quajti qesharake kërkesën e bashkëpartiakut.
“Si nënkryetare e LDK-së, deklaroj se kjo është kërkesë qesharake. Strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë kryetarit aktual të partisë, i cili partinë e mori me rënien më të madhe historike në 12% dhe e ktheu në trendin më të madh historik të ngritjes (me 70% rritje)”, ka thënë ajo.
Hotit i reagoi edhe nënkryetari tjetër, Lutfi Haziri, që tha se LDK-ja nuk u takon funksionarëve, por anëtarësisë.
“Abdixhiku erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik. Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët. Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtetë të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka rënë morti”, ka shkruar Haziri.
Njëjtë punën e Abdixhikut e ka mbrojtur edhe nënkryetari tjetër, Gazmend Muhaxheri.
Gjatë ditës kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk u përgjigj në thirrjet dhe mesazhet e KOHËS lidhur me çështjen.
Pakënaqësitë brenda partisë anëtarët e LDK-së kanë nisur t’i shfaqin që me nisjen e publikimit të rezultatit zgjedhor. Ish-deputetja Rrezarta Krasniqi u ankua për manipulim votash brenda LDK-së në Vushtrri, gjë që u konfirmua pas rinumërimit.
E ish-shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dhe ish-deputeti Driton Selmanaj e quajtën të manipuluar votën e diasporës brenda partive politike.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit LDK-ja doli partia e tretë me 18.27 për qind të votave të fituara. Në Kuvend pritet t’i ketë 20 deputetë, mes tyre edhe Avdullah Hotin.