LAJMET E MBRËMJES

Homazhe në Memorialin ku u shënua kthesa kryesore për çlirim

Krerët institucionalë të shtetit, ata të opozitës, si dhe mijëra qytetarë, të dielën kanë bërë homazhe te memoriali “Adem Jashari” në Prekaz si përkujtim për sakrificën e familjes Jashari me rastin e 24-vjetorit të sulmeve të policisë serbe kundër Jasharëve, ku u vranë 58 veta, shumica gra e fëmijë

Prishtinë, 6 mars – Krerë të institucioneve e të partive, si dhe shumë qytetarë, të dielën kanë nderuar sakrificën e familjes Jashari, që shënoi kthesën e madhe historike me epilog çlirimin e vendit.

Përkulje për veprën e kurora të shumta lulesh u vunë në memorialin “Adem Jashari” në Skënderaj.

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Bekimi, kujtoi se moti i 6 marsit 1998, kur u vranë disa nga anëtarët e familjes Jashari, ishte ngjashëm me atë që mbizotëroi të dielën, në 24-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“24 vjet më parë ishte mot i njëjtë si sot, siç tregojnë Besarta dhe Bashkimi, që tani është komandant i FSK-së”, ka thënë Jashari.

Ai ka folur për betejën tërësisht të pabarabartë, pasi, sipas tij, rreth 15 mijë paramilitarë, policë e ushtarë serbë kishin sulmuar shtëpitë e familjes Jashari dhe për tri ditë luftë (5, 6 e 7 mars 1998) ishin vranë 58 anëtarë të familjes Jashari dhe disa të afërm të kësaj familjeje.

Me gjithë epërsinë numerike në personel e në armatim, forcat serbe hasën në rezistencë të Jasharëve, që po mbronin pragun e shtëpisë.

Mes të vrarëve, shumica ishin fëmijë e gra.

“Ata u sulmuan në shtëpinë e tyre, shumica dërrmuese e familjarëve ishin gra e fëmijë, që tregon se kjo ishte ndër masakrat më të tmerrshme të kryera nga regjimi gjenocidial i Serbisë, për të cilën ende s’ka drejtësi”, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë homazheve të dielën.

Në këto homazhe kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryekuvendari Glauk Konjufca.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia, si dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit, Kurti.

Ndërsa Konjufca sakrificën e Jasharëve e ka vendosur në qendër të të gjitha përpjekjeve për liri e pavarësi.

“Mendoj që sakrifica e Jasharëve është momenti më i rëndësishëm brenda përpjekjeve çlirimtare të popullit të Kosovës”, ka thënë Konjufca.

Pos krerëve të shtetit, homazhe kanë bërë edhe liderët e partive opozitare.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Epopenë e UÇK-së e ka vlerësuar si kthesën kryesore të historisë së re të Kosovës.

“Këto data janë ato që kanë shënuar kthesën më të madhe në histori të Kosovës, jo vetëm duke e zgjuar vëmendjen e gjithë botës, por duke e zgjuar edhe vëmendjen e gjithë kombit tonë”, ka thënë ai.

Drejtuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se familja Jashari e ka mbrojtur pragun e shtëpisë.

“Ata mbrojtën pragun e shtëpisë së tyre dhe kështu mbrojtën edhe përpjekjen tonë kolektive për liri e për çlirim”, pohoi Abdixhiku.

Më i shkurtër në deklaratë ishte Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

“Jemi për nderim në Prekaz, vendin ku ka ra komandanti legjendar dhe familja e tij, vendi ku ka ndodhur kthesa për shqiptarët”, është shprehur Haradinaj.

Homazhe kanë bërë edhe kryetarë të partive joparlamentare dhe personalitete të tjera të jetës publike.

Më 5 mars policia serbe e rrethoi shtëpinë e Jasharëve në Skënderaj dhe për tri ditë e sulmoi atë pa zgjedhur mjete, derisa u shua e gjitha rezistenca.

Çdo vit mijëra njerëz nga të gjitha trojet shqiptare e vizitojnë Prekazin për ta ruajtur memorien historike që përmban rezistencën e Jasharëve.