Ka dështuar të mërkurën edhe vazhdimi i pestë i seancës konstituive të Kuvendit. Edhe kësaj radhe, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar emrin e deputetes Albulena Haxhiu për postin e kryetarit të Kuvendit, me gjithë qëndrimet kundër votimit të saj të shprehura më herët nga përfaqësues të partive që në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë. Zgjedhja e Haxhiut ka dështuar edhe në votimin e tretë, pasi që ajo nuk e ka marrë asnjë votë më tepër sesa në dy tentimet e mëhershme
Është bërë edhe një tentim tjetër të mërkurën, porse prapë i pasuksesshëm për ta konstituuar legjislaturën e nëntë.
Ndonëse para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, kryesuesi Avni Dehari ka thirrur takim konsultativ me përfaqësues të të gjitha partive politike, konsensusi nuk është arritur.
Përfaqësues të Lidhjes Demokratike (LDK) nuk kanë marrë pjesë në takim teksa në partitë e tjera parlamentare, të cilat në legjislaturën e shkuar kanë qenë në opozitë, kanë përsëritur qëndrimin se nuk e mbështesin kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), për tash e tri herë.
E kur seanca konstituive ka nisur, LVV-ja edhe të mërkurën e ka nxjerrë në votim emrin e deputetes Albulena Haxhiu si kandidate për kryeparlamentare.
“LVV-ja e propozon atë që gjithmonë ishte propozimi ynë, zonjën Albulena Haxhiu. Ju lus të gjithëve ta mbështetni dhe të dalim nga kjo bllokadë”, ka thënë deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, i cili në legjislaturën e mëparshme e ka ushtruar detyrën e kryetarit të Kuvendit.
Votë pro Haxhiut kanë dhënë 57 deputetë, 46 kanë votuar kundër, ndërsa 3 kanë abstenuar.
“Në bazë të rezultateve të votimit, nuk kalon kandidatja për kryetare”, është shprehur kryesuesi Dehari.
Haxhiu të mërkurën nuk e ka marrë asnjë votë më tepër sesa në dy votimet paraprake të hënën. Për dallim prej dy herëve të tjera, krahas LDK-së, kundër kësaj radhe kanë votuar edhe deputetë të Partisë Demokratike (PDK) dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Tre deputetët e Nismës Socialdemokrate kanë abstenuar, ndërsa në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e Listës Serbe.
Më pas, kryesuesi i seancës ka konstatuar se nuk ka kushte që seanca të vazhdojë. Siç e kërkon Rregullorja e Kuvendit, Dehari e ka ndërprerë këtë mbledhje të deputetëve për të vazhduar sërish të premten, nga ora 10:00.
Pas përmbylljes së vazhdimit të pestë të seancës konstituive të Kuvendit, përfaqësues të partive opozitare kanë përsëritur kritikat në llogari të partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit për bllokim të qëllimshëm të formimit të institucioneve teksa janë shprehur kundër votimit të Haxhiut edhe në seancën pasuese. E në LVV këtë përgjegjësi ia kanë bartur taborit tjetër politik tek e kanë akuzuar opozitën e mëparshme për qasje diskriminuese ndaj Haxhiut.
“Lehtësia me të cilën po gjykohet dhe po vlerësohet mundësia e ndërrimit të kandidates nga grupi parlamentar i LVV-së është tërësisht i papranueshëm për ne... Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 125.000 vota apo thënë ndryshe më shumë vota se parafolësi z. Haradinaj apo dy herë më shumë se tërë grupi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, NISMËS, Konservatorët, Intelektualët. Pesha politike, legjitimiteti i zonjës Albulena Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është i pakontestueshëm”, ka theksuar deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se LVV-ja duhet të tentojë që ta nxjerr një tjetër emër për kryetar Kuvendi dhe se kjo parti nuk mund t’i marrë me zor votat për Haxhiun.
“Mentaliteti arbitrar i marrjes së votës me zor nuk ka vend në sistemin demokratik. VV-ja është e vetmja parti që, në vend të një oferte, ka bërë vetëm kërkesa – edhe në fushatë, edhe tani në Kuvend... Sikur të donte VV-ja ta zhbllokonte situatën, do të propozonte emra që janë të pranueshëm edhe për opozitën, siç ka sugjeruar edhe Ramush Haradinaj. Por qëllimi i VV-së nuk është bashkëpunimi, por bllokimi”, ka thënë ai.
E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka përsëritur edhe të mërkurën qëndrimin se partia e saj nuk ka votë për asnjë kandidat të LVV-së.
“Kryetari i Kuvendit duhet zgjedhur me marrëveshje politike. Këta nuk duan. Janë 13 parti të tjera. Ne i kemi 20 deputetë në Kuvend nga 120. Janë të tjerë që janë të gatshëm të hyjnë. Është paaftësi e tyre për të krijuar një shumicë”, ka deklaruar Bajrami.
Qëndrim pro ndërrimit të emrit të kandidatit për kryeparlamentar ka shprehur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, teksa ka përsëritur që deputetet e LVV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi dhe Saranda Bogujevci, mbesin alternativat e partisë së tij për votë pro.
“Haxhiu nuk është kandidaturë unifikuese. Kandidatura është jounifikuese dhe kjo po na pengon... Edhe për të shkuar në zgjedhje duhet votë e opozitës”, ka thënë Haradinaj.
E partneri i tij në koalicion, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar që të bëhen lëvizje drejt formimit të institucioneve teksa ka thënë se Kosova nuk e ka luksin që të mbetet pa Kuvend të konstituuar.
“Një gjë duhet ta kemi të qartë: më e rëndësishme se çdo gjë tjetër, Kosova nuk e ka luksin që të mbetet pa institucione dhe shpresoj se do të gjendet (zgjidhja). Por institucionet bëhen përmes rrugëve të njohura ashtu siç bën bota e qytetëruar, dhe shpresoj që kjo ndodhë”, ka theksuar Limaj.
Pengesat për konstituimin e legjislaturës së nëntë kanë nisur me kundërshtimin fillimisht të raportit të Komisionit të përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të deputetëve. Miratimi i këtij raporti është bërë me unitet të plotë tek në vazhdimin e tretë të seancës konstituive, pas një konsensusi të arritur midis grupeve parlamentare.
Por pengesa e radhës është shfaqur te propozimi i emrit të Haxhiut si kandidate për kryeparlamentare, duke rezultuar me dështim në miratim në tri seancat e fundit, më 19, 21 dhe 23 prill.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas zgjedhjes së kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve.