Ka vazhduar intervistimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në lidhje me deklaratat për arratisjet e të burgosurve. Ajo e akuzoi organin e akuzës se po e interviston për ta penguar në punën e saj në reformimin e sistemit të drejtësisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për të dytën ditë më radhë është intervistuar nga Prokuroria Speciale për deklaratat në lidhje me arratisjet e fundit nga burgjet, më e bujshmja nga të cilat është ajo e Faton Hajrizit.
Ajo e interpretoi ftesën për t’u marrë në pyetje si tendencë të organit të akuzës për ta penguar në implementimin e reformës në drejtësi.
Pas intervistës, Haxhiu tha se deklarimi për arratisjet është bazuar në komunikimin që ka pasur në takimet e shumta me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me zyrtarë të policisë dhe të institucioneve të inteligjencës.
“Është shokuese që njëra nga pyetjet që më është parashtruar sot që është pyetje e prokurorit të rastit që e adreson përmes policisë është: çka ke menduar ti me ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës. Ju lutem shumë që të hyni në rrjetin tim social në Facebook dhe ta shihni nëse kam përmendur ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës. Kjo nuk qëndron, kjo është shpifje, kjo është thashethem, këtë e ka thënë PDK-ja dhe ca analist në studio televizive”, tha Haxhiu.
Të shtunën Haxhiu shkroi se arratisjet janë cytur, organizuar, bashkorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë.
Ajo kritikoi Prokurorinë edhe për vëmendjen që ua kushton postimeve të saj në rrjete sociale.
“Prokuroria më shumë rri në profilet e mija në rrjetet sociale se sa merret me punët dhe përgjegjësitë që i ka dhe po ashtu është për t’u duartrokitur që me interes të madh më përcjellin edhe në studio televizive”, tha Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë vlerësoi të mos jetë rastësi as vrasja e një polici serb dhe plagosja e një tjetri javën e shkuar nga Faton Hajrizi në kufi me Bosnjë-Hercegovinën, para se të vritej nga policia e Serbisë.
“Supozohet që vendi ku ka ndodhur vrasja e policit është rreth 9 kilometra aty ku planifikohet që të ndërtohen minierat e Litiumit, prandaj ka pasur një përpjekje të Serbisë që sa më pak zëra, sa më pak rezistime, sa më pak kundërshtime të ketë ndaj nënshkrimit të këtyre kontratave dhe duket që, apo është diskutuar më mirë të them, që tendenca e Serbisë është që ta heq vëmendjen nga ajo situatë dhe ta ndërlidhë vëmendjen me vrasjen e policit”, tha Haxhiu.
Ministrja tha se është kërcënuar pasi Faton Hajrizin e ka quajtur person me vepra të rënda penale. Shumicën e kohës nga paslufta ai e ka kaluar në burg si i dënuar për vrasje, tentim vrasje e për grabitje, ndërsa dy javë më parë u arratis për të nëntën herë nga burgu.