LAJMET E MBRËMJES

Haxhiu pas vrasjes së 35-vjeçares: Problemi tek institucionet e drejtësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u është përgjigjur akuzave për dështim në mbrojtjen e gruas shtatzënë, që u vra nga bashkëshorti i saj. Sipas Haxhiut, institucioni që udhëheq, i kreu të gjitha detyrat, porse problemi qëndron te sistemi gjyqësor që, sipas saj, nuk është duke funksionuar. Në lansimin e kurrikulës për trajtimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje, ajo shtroi pyetjen edhe sa gra e vajza duhet të vriten që të këndellet sistemi i drejtësisë

Për vrasjen e 35-vjeçares, Hamide Magashi, në muajin e 41-të të shtatzënisë, institucionet përgjegjëse fajin e hedhin te njëra-tjetra.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dështimin ia ka atribuuar sistemit gjyqësor.

Gjatë lansimit të kurrikulës për trajtimin e profesionistëve për ofrimin e programeve për kryerësit e dhunës në familje, Haxhiu ka thënë se institucioni që ajo e udhëheq ka kryer të gjitha detyrat për mbrojtjen e grave.

“Edhe sa vajza dhe gra duhet të vriten në mënyrë që gjykatat të mos e shqiptojnë dënimin nën minimumin që parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Dhe fakti që as sot në këtë organizim të rëndësishëm nuk i kemi përfaqësuesit nga sistemi i drejtësisë, flet shumë për ndërgjegjen e tyre”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu ka përsëritur se për shkak të vrasjes së 35-vjeçares, para Gjinekologjisë në Prishtinë do të ketë largime dhe dorëheqje të zyrtarëve përgjegjës, posa t’i mbledhin raportet nga institucionet.

“Të tri institucionet, ai policor, shëndetësor dhe punë sociale kanë filluar inspektimet. Ne kemi pritur që ato të mbarojnë dje, mirëpo, duket që janë pak më komplekse dhe sigurisht që kanë marrë kohë më tepër”, ka thënë ajo.

35-vjeçarja është vrarë me tre plumba. Aktin dyshohet se e kreu bashkëshorti i saj Sokol Halili, i cili pas lokalizimit nga Policia, vrau veten.

Sipas familjarëve, e ndjera ishte maltretuar fizikisht edhe më herët nga i dyshuari dhe familja e tij. Për dhunën që e kishte përjetuar ishin të njoftuara edhe organet e rendit.

Sipas burimeve të KOHËS, në korrik e ndjera kishte raportuar rastin në Polici në Shtime, e pastaj Qendra për Punë Sociale në këtë komunë, rastin e kishte dërguar në Qendrën në Lipjan. Të dyja këto institucione të enjten nuk kanë dhënë detaje, me arsyetimin se kanë marrë urdhër nga institucionet qendrore që të mos komunikojnë me mediat.