LAJMET E MBRËMJES

Haxhiu: Kryeministri s’ka refuzuar të dëshmojë para prokurorit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar kërkesën e Prokurorisë Speciale drejtuar Gjykatës për dëshminë e kryeministrit Albin Kurti. Ka thënë se përgjigjet e Kurtit ndaj ftesave të organit të akuzës nuk janë refuzim dhe nëse janë cilësuar kësisoj nga Prokuroria atëherë është duke u mashtruar gjykata

Kryeministri Albin Kurti nuk ka refuzuar që të dëshmojë në Prokurorinë Speciale, ka thënë të mërkurën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Duke folur për kërkesën e Prokurorisë drejtuar Gjykatës që ta urdhërojë Kurtin të japë dëshminë për të cilën është ftuar disa herë, Haxhiu ka thënë se organi i akuzës nuk ka interes që ta marrë dëshminë e kryeministrit.

Sipas Haxhiut, nëse Prokuroria e ka paraqitur kërkesën e Kurtit për ta intervistuar në zyrë si refuzim, atëherë është duke e mashtruar gjykatën.

“Unë mendoj që nëse Prokuroria Speciale i është drejtuar kështu gjykatës, atëherë e ka mashtruar atë. Pra, nuk po paragjykoj si saktësisht i ka shkruar prokuroria gjykatës, por nëse ka thënë se po refuzon atëherë ky është mashtrim, sepse kryeministri Kurti nuk ka refuzuar asnjëherë që të japë dëshminë e tij. E vetmja çështje është lokacioni”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Ajo ka përsëritur se veprimet e organit të akuzës janë politike dhe janë përpjekje për t’i dëmtuar e frikësuar zyrtarët qeveritarë.

“Sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës kurrë më i lirë nuk ka qenë nga ndikimi politik, ama më duhet të them se kurrë më politik s’ka qenë”, ka thënë ajo. “Pavarësisht përpjekjes së tyre për të na dëmtuar, për të na frikësuar, nuk kanë arritur që të na ndalin”.

Ministrja e Drejtësisë ka komentuar edhe kritikat e faktorit ndërkombëtar për mbylljen e disa qendrave për mirëqenie sociale të Serbisë, që kanë funksionuar ilegalisht në veri.

Ajo ka thënë se veprimet e institucioneve në veri nuk janë kundër tyre e as kundër qytetarëve serbë.

“Këto qendra janë mbyllur nga Policia e Republikës së Kosovës sepse dyshohet që nëpërmjet tyre është ndërhyrë apo është bërë presion për zgjedhjet e 9 shkurtit. Pra, duke e kushtëzuar votën e qytetarëve të komunitetit serb”, ka thënë Haxhiu.

Në konferencën për medie pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, bëri të ditur se të enjten do të mblidhet komisioni për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

Çeku ka bërë thirrje që organizimin e këtij përvjetori të mos e bojkotojnë përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së.

“Ne i ftojmë që të jenë pjesë e këtij organizimi, sepse ata aty e kanë vendin. Epopeja e UÇK-së është e të gjithëve e sidomos e atyre që kanë qenë pjesë e luftës dhe janë përfaqësues të sakrificës që është bërë në luftë”, ka thënë Çeku.

Paraprakisht kabineti qeveritar, mes tjerash, ka miratuar rregulloren për mekanizmin koordinues lokal për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave e dhuna në bazë gjinore, si dhe udhëzimin për linjën telefonike emergjente për viktimat e dhunës.

Tek ka folur për këto dokumente, ministrja Haxhiu tha se mekanizmat që i parasheh rregullorja, do të udhëhiqen nga kryetari i komunës. Ajo foli edhe për udhëzimin administrativ.

“Udhëzimi administrativ i dytë është linja telefonike emergjentë për viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore. Do të mundësojë që viktimat dhe qytetarët të lajmërojnë rastet e dhunës në familje, e po ashtu do të njoftohen viktimat në raport me shërbimet që i kanë institucionet, kontakt direkt telefonik në mes të viktimës dhe shërbimeve të tjera që ofrohen”, ka thënë ministrja Haxhiu. “Dhuna në familje nuk është çështje private. Është përgjegjësi institucionale, qoftë e nivelit qendror, qoftë e atij lokal”.