Ka nxitur reagimin e ministres së Drejtësisë hulumtimi i publikuar në KTV, dhe dyshimet e ngritura se Prokuroria ka mbyllur hetimin për një pronë që dyshohet të jetë tjetërsuar, pasi si provë është marrë një dokument i dyshimtë nga Serbia. Ministrja Haxhiu ka kërkuar hetim. E, asaj i ka reaguar Prokuroria Speciale
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka akuzuar prokurorinë pasi ka pushuar hetimet për një pronë milionëshe në lagjen “Veternik” në Prishtinë, duke e përdorur si provë një zarf nga Serbia përmes rrugëve jozyrtare.
Në emisionin “Betimi për drejtësi” që është transmetuar në Kohavizion, është raportuar të shtunën për misterin e zarfit nga Serbia, që sipas Prokurorisë përmban të vërtetën, ndërsa sipas njërës familje bëhet fjalë për mashtrim.
E ministrja Haxhiu, tek ka shkruar për rastin, duke kërkuar hetim dhe ka akuzuar prokurorët, duke thënë se, sipas raportimeve, në Serbi është mohuar nga autoritetet se kanë të bëjnë me dërgesën.
“Rasti me tokën në lagjen ‘Veternik’ të Prishtinës dhe kjo që ndodhi me zarfin që sipas raportimeve del të jetë dokument i falsifikuar nga Beogradi, me të cilin dokument, Prokuroria Speciale mbylli hetimet është vërtet shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Republikën e Kosovës. Pra, në mënyrë të falsifikuar i merret prona qytetarit dhe në mënyrë të falsifikuar nga Serbia po ashtu, mbyllet rasti në dëm të qytetarit”, ka shkruar ministrja Haxhiu në Facebook.
Haxhiu ka thënë se Vetëvendosje e ka parë vazhdimisht vettingun si të vetmen mundësi për të dalë nga gjendja.
Megjithatë, sipas saj, ka pasur rezistencë nga qarqe të ndryshme, si në politikë po ashtu edhe në drejtësi.
“Ka pasur një siklet dhe rezistencë nga qarqe të ndryshme, sa në politikë, sa në drejtësi ndaj këtij procesi, ndërkaq kemi parë për këto 4 vjet qeverisje se si qindra lëndë janë dorëzuar vetëm nga kabineti qeveritar me afera nga kohët e kaluara për të cilat në asnjë rast të vetëm nuk kemi parë të jetë ndërmarrë diçka nga ana e Prokurorisë Speciale. Në anën tjetër, kemi parë që ndaj qeverisë, ministrave e zyrtarëve të subjektit prej nga jemi, ka pasur reagime e impulse nga ana e kësaj Prokurorie, madje edhe për statuse facebooku se lëre më diçka më shumë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo po ashtu ka thënë se Ministria u ka dërguar letra organeve kompetente në Serbi për të marrë përgjigje për pronësinë, por asnjëherë s’ka marrë përgjigje.
Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar hetime për rastin, e edhe për pretendimet e përfshirjes së akterëve institucionalë të drejtësisë në të.
“Si ministre e Drejtësisë, jam vërtet e shqetësuar me gjithë këtë rast, veçanërisht, dhe me pretendimet e përfshirjes edhe të akterëve institucionalë të drejtësisë në këtë rast të kësaj prone, që nga vetë prona deri te mbyllja e rastit me dokumente të falsifikuara. Autoriteti përgjegjës me urgjencë duhet të hetojë mbylljen e dyshimtë të këtij rasti nga Prokuroria Speciale përmes dokumenteve të falsifikuara dhe të trajtojë po ashtu shqetësimet e faktuara të familjes së dëmtuar për lidhjet në këtë rast të vetë prokurorëve specialë të Kosovës me vetë pronën konkrete”, ka shkruar Haxhiu. “Drejtësia ka kuptim veç kur e mbron të dobëtin nga i forti e i pushtetshmi. Kur i pushtetshmi lidhet me krimin, aty krimi bëhet i organizuar dhe institucional. Aty bie edhe drejtësia, demokracia e republika. Dhe kjo nuk duhet të tolerohet”.
Pas kësaj, ka reaguar Prokuroria Speciale që e ka quajtur qasje “joproduktive” të ministres Haxhiu.
Tek ka mohuar se rasti ka qenë i kësaj prokurorie, Specialja i ka konsideruar të qëllimshme dhe tendencioze akuzat e ministres.
“Nisur nga fakti se nuk është hera e pare që ballafaqohemi me sulme të tilla dhe deklarata të pavërteta nga ministrja Haxhiu, Prokuroria Speciale, i bën thirrje ministres së Drejtësisë dhe të gjithë personave të tjerë që kanë synim pengimin e kësaj prokurorie në realizimin e mandatit të saj, që të përmbahen nga deklarime të tilla të pavërteta, tendencioze dhe qëllimkëqija. Për më tepër, Prokuroria Speciale siguron opinionin publik, se veprimet e tilla të ministres së Drejtësisë dhe të kujtdo tjetër, në asnjë moment dhe rrethanë nuk do të ndikojnë që kjo prokurori ta ushtrojë mandatin e saj në drejtim të luftimit të kriminalitetit dhe ndjekjen e kryesve të veprave penale, pavarësisht se kush janë ata”, thuhet në sqarim.
E ministrja Haxhiu, në përgjigje e ka pranuar se ka bërë lëshim kur ka thënë se adresa e dërgimit të zarfit ka qenë Specialja. Megjithatë, ajo ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që t’i përgjigjet pretendimeve të familjarëve në kontest, se zyrtarë të saj kanë gisht në rast.
“Në lidhje me reagimin e Prokurorisë Speciale e ndiej të obligueshme t’i përgjigjem që i vetmi lëshim në reagimin tim është te adresa e dërgimit të zarfit dhe Prokuroria që e ka në dorë rastin, që është ajo themelorja, ndërkaq pretendimet e familjarëve që përmendin se në këtë rast ka të përfshirë edhe persona nga vetë Prokuroria Speciale janë të sakta në reagimin tim dhe tashmë ato janë bërë publike. Kështu që Prokuroria Speciale para se të më përgjigjet mua brenda orësh është mirë t’i përgjigjet pretendimeve, për të cilat nuk ka thënë asnjëherë asgjë madje as sot”, ka shkruar ajo.
Historiku i betejës për këtë pronë është i gjatë. Fitimi i pronësisë brenda 9 muajve, sekuestrimi e mossekuestrimi i saj, arratisje, arrestime, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, përfshirje të zyrtarëve të lartë, dyshime për fshehje të provave e deri te mbyllja e hetimeve nga shkalla e parë e Prokurorisë.
Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se kjo pronë iu është marrë atyre përmes falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit.
“Realisht, kjo është toka jonë, është historikisht toka jona. Ne kemi fletë poseduese të vitit 1961 e cila e vërteton se kjo tokë është e jona dhe historikisht jemi në Gjykata për vërtetimin e pronësisë të kësaj toke. Nga viti 1984 kur kemi iniciuar vërtetimin e kësaj toke kemi qenë në kontest me AKP-në, deri në vitin 1999 kur filloi lufta në Kosovë. Me përfundimin e luftës 1999 në vitin 2000 ne vazhdojmë procesin ku ka mbetë në Gjykatë të Prishtinës. Prej atij viti kemi bërë padi në institucione, në Gjykatat e Kosovës në vitin 2010, formohet Dhoma e Posaçme e cila është kompetente për trajtimin e lëndëve që janë kontekste shoqërore me AKP-në. Në 2010, në të njëjtin vit ne bëjmë padi tek kjo Dhomë që është kompetente për trajtimin e këtyre lëndëve”, ka thënë Egyn Sadiku, djali i palës së dëmtuar Nexhat Sadiku.
Padia që Nexhat dhe Gursel Sadiku kishin bërë për vërtetim të pronësisë nuk ishte trajtuar për 7 vjet nga Gjykata. Ata nuk kishin marrë as ftesë për seancë.
“Në vitin 2020/21 e kuptojmë që toka jonë për të cilën ne jemi në procedura gjyqësore, ka pësuar, është tjetërsuar dhe ka dalë në emër të dikujt tjetër”, ka shtuar ai.
Derisa familja Sadiku po ndiqte procesin gjyqësor prej dekadash për fitimin e të drejtës së tyre, prona i kaloi dikujt tjetër dhe madje në procedurë të përshpejtuar.
Kjo pronë, me procedurë të përshpejtuar i kishte kaluar Zojë Hysenit, 84-vjeçare e cila kishte vdekur gjatë procedurave gjyqësore.
“Në 2014, kur Zoja bën padinë në Dhomë të Posaçme, formohet prapë një trup gjykues, prapë prej tre gjyqtarëve të cilët janë gjyqtarët e njëjtë të rastit të padisë tonë nga 2010. Brenda 9 muaj ditëve në 2015 i njihet e drejta për 9 hektarë tokë në Veternik të Prishtinës, pjesë e këtyre 9 hektarëve është edhe parcela 1743, e cila është toka e babait tim”, ka thënë Sadiku.
Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, dyshohej të ishte përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai fillimisht në të gjitha dokumentet është paraqitur si përfaqësues i saj, e më pas si trashëgimtar i vetëm i kësaj prone milionëshe.
Pa vonuar, Hyseni pronën filloi ta parcelizonte dhe shiste.
Palët e dëmtuara, Nexhat dhe Gursel Sadiku, kishin iniciuar rast në Prokurori mbi pretendimet se dokumentet pronësore me të cilat e ndjera kishte fituar pronësinë, sipas ekspertizave grafologjike që kishin bërë, ishin të falsifikuara.
Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” dhe debati i zhvilluar në “Tempus” më 13 shtator 2021 bëri që prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët.
Për këtë rast, ishte lëshuar urdhërarrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte autorizuar nga Ylber Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.
Mbi këtë bazë, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar 5 herë radhazi sekuestrimin e përhershëm të kësaj prone, kërkesë kjo që ishte refuzuar pesë herë nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe është kthyer në rivendosje katër herë nga Apeli.
Kontradikta ishte se për rastin e njëjtë, Afrim Gashi po mbahej në arrest shtëpiak, derisa prona nuk sekuestrohej.
“Për bindjen time është bajagi e paqartë të thuash këtu se nuk ekziston dyshimi i bazuar që ka kryer veprën penale, ndërsa atje të thuash që nuk ekziston dyshimi i bazuar se edhe njëra edhe tjetra nuk mund të shqiptohen pa ekzistu dyshimi i bazuar”, kishte thënë profesori universitar Fejzullah Hasani.