LAJMET E MBRËMJES

Haxhiu e akuzon Gjykatën Kushtetuese për “interesa individuale”

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kontestoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin, në tërësi, të Ligjit për Këshillin Prokurorial. Shprehu vërejtje për disa nga pikat e vendimit. Ndërkaq Gjykatën e akuzoi se para interesit të përgjithshëm, e vuri atë të disa anëtarëve të KPK-së

Mospajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin në tërësi të Ligjit për Këshillin Prokurorial (KPK) ka shprehur të shtunën ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kushtetuesja vendosi se ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Popullit, barazinë para ligjit, e nenin për KPK-në.

Haxhiu në një konferencë shtypi e akuzoi Kushtetuesen se e vuri interesin individual të ndonjë anëtari të KPK-së para atij të përgjithshëm dhe të ndaljes së korporatizmit.

“Është paradoksale se në pikën e parë të njoftimit, Kushtetuesja konstaton se përbërja aktuale e KPK-së është korporatiste, por në pikën e fundit thotë se nuk mund t’u ndërpritet mandati anëtarëve përmes shortit siç e kemi paraparë ne. Për Kushtetuesen më i rëndësishëm është interesi individual i anëtarëve të KPK-së dhe jo i të gjithëve, por vetëm disa prej tyre, sesa interesi i përgjithshëm, sesa ndalimi i korporatizmit në një institucion të rëndësishëm për qytetarët, për vetë sistemin e drejtësisë në përgjithësi”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Ajo e cilësoi si befasi pikën e vendimit që e shpall jokushtetues edhe delegimin në KPK të një anëtari joprokuror që do të caktohej nga Avokati i Popullit.

“Delegimi i një anëtari joprokuror nga Avokati i Popullit është gjetur si jokushtetues. Kjo është tërësisht befasuese për ne. Komisioni i Venencias ka sugjeruar që një numër i caktuar i anëtarëve joprokurorë mund të rezervohen për institucionet e jashtme të pavarura dhe ka përmendur në veçanti Avokatin e Popullit”, ka thënë ajo.

Ministrja e Drejtësisë ka theksuar se përmes ligjit të ri është synuar që Kryeprokurori të veprojë i pavarur, me profesionalizëm dhe të mos ndikohet nga interesat e ngushta, përfshirë ato politike. Ka pasur përgjigje edhe për kritikat e opozitës.

“Ne kemi synuar sistem pluralist dhe që mund të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese dhe jo të cenojë pavarësinë e KPK-së siç u interpretua nga partitë politike, ish-anëtarët e të cilëve janë anëtarë të këtij sistemi”, ka thënë ajo dhe e ka mohuar mundësinë e dorëheqjes. “Ndoshta është mirë të pyetet opozita pse po kërkon dorëheqjen time. Që kur kam marrë detyrën, unë jam ballafaquar me kërkesat e opozitës për dorëheqje. Sepse konsideroj që kur kanë parë vullnetin tonë, kur kanë parë seriozitetin tonë për të vazhduar me reformat në drejtësi, për t’i jetësuar ato, kanë filluar me kërkesat për dorëheqje sepse po i cenojmë interesat e tyre, të njerëzve që janë të lidhur me ta. Kërkesa për dorëheqje nuk është e para, as nuk do të jetë e fundit. Përderisa jemi duke u shërbyer qytetarëve, ata do të vazhdojnë të bëjnë kërkesa të tilla. Më vjen keq për ta, por duhet t’i dëshpëroj që nuk do të ndalemi”.

Menjëherë pas vendimit të së premtes mbrëma nga Kushtetuesja, në Lidhjen Demokratike e kërkuan dorëheqjen e ministres Haxhiu.

Vendimi i Kushtetuese u mor pasi deputetë të LDK-së dhe ata të PDK-së iu adresuan Gjykatës me kërkesën për interpretimin e kushtetutshmërisë së ligjit.