Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është marrë të hënën në pyetje për rastin e vdekjes së ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari, pas një postimi ku ajo ka theksuar se ekzistojnë provat, porse nuk ka vullnet të zbardhet rasti. Pas dëshmisë, në konferencë për media ajo ka treguar për pyetjet që i janë shtuar
Afro një orë e gjysmë ka zgjatur dëshmia e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhënë policëve hetues për rastin e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Astrit Dehari. Haxhiu, në shtatëvjetorin e vdekjes së Deharit, në një postim në rrjetin social Facebook, pati shkruar se provat për rastin ekzistojnë, porse mbetet në vullnetin e Policisë dhe të Prokurorisë që ai të zbardhet.
Në një konferencë për media pas dëshmisë, Haxhiu ka zbuluar pyetjet që iu shtruan - cilat janë provat për pretendimin dhe se kush janë kryerësit e veprës penale, si dhe nëse ka ndonjë vërejtje në proces.
“Po ta kisha emrin e kryerësit apo kryerësve të veprës penale unë nuk do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrit e personit që dyshohet. E kjo është puna e tij. Për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për këtë ai është prokuror që të bëjë hetime. Punën e tij unë s’mund ta bëj”, ka deklaruar Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë ka ftuar prokurorin Afrim Shefkiu të kryejë hetime të përgjegjshme, në të kundërtën “të mos e pengojë drejtësinë”. Sipas saj, prokurori po e mban peng zbardhjen e rastit së Deharit.
“Pse reagoi tash, pse jo më herët e po ashtu a ka reaguar njësoj prokurori special ndaj deklaratave të zyrtarëve të shtetit që kishin thënë që Astrit Dehari është vetëvrarë. Apo a ka reaguar po aq shpejt ndaj veprimeve të kundërligjshme të zyrtarëve përgjegjës në rastin “Dehari”. Një sërë episodesh janë zhvilluar përgjatë këtyre shtatë viteve, por Prokurori nuk ka treguar të njëjtin zell, as ndaj reagimeve, mosveprimeve ose veprimeve të gabuara”, ka deklaruar Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë ka sqaruar se si mostrat e Deharit janë zhdukur në prag të zgjedhjes së drejtorit të ri të Institutit të Mjekësisë Ligjore.
“Ne kemi pezulluar procesin, sepse lënda është në Prokurorinë Speciale. Sipas informacioneve, disa nga mostrat janë gjetur, por nuk mund të bëjë publike se cilat janë ato. Unë kam folur një orë e gjysmë”, shtoi tutje ajo.
Ministrja ka potencuar se në pyetje është dashur të merreshin edhe ish-kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, dhe ish-drejtori i Policisë, Nexhmi Krasniqi.
Për të dëgjuar dëshminë e ministres nuk është lejuar prezenca e avokatit të familjes së Astrit Deharit, Tomë Gashi.
Prokuroria, sipas avokatit Gashi, po vonohet në zbardhjen e rastit të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, teksa e ka kritikuar atë për veprime selektive.
“Prokuroria për arsye të panjohura është duke vepruar në mënyrë selektive, sepse me dhjetëra dëshmitarë që janë marrë në pyetje në këtë ndërtesë të Policisë, i ka lejuar dhe ka kërkuar që unë të jem pjesëmarrës në rastin e deklarimit të tyre, ndërsa në raste të caktuara shumë të ndjeshme s'ka lejuar”, ka thënë Gashi.
Ai ka folur edhe për mundësinë e ankesës ndaj prokurorit Afrim Shefkiu.
“Prokurori duket se i ka arsyet e veta për të cilat ne do të kërkojmë sqarime, pas takimit me familjen e Astritit dhe të shohim a do t'i drejtohemi Këshillit Prokurorial apo a do të ankohemi ne, sepse është e patolerueshme të veprojë në mënyrë të tillë. Po i bie se Prokurori mund të ketë arsye të tjera për të cilat neve nuk na njofton, që në prizmin tim është duke i shkelur dispozitat ligjore”, ka shtuar ai.
Astrit Dehari është gjetur i vdekur shtatë vjet më parë në qelinë e Burgut në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur me dyshimin se ka kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë të LVV-së. Teksa nga Prokuroria atëkohë patën thënë se bëhet fjalë për vetëvrasje, familja Dehari në vazhdimësi ka insistuar se ai është vrarë.