27-vjetori i Epopesë së Dukagjinit u përkujtua me homazhe e me akademi përkujtimore nga qytetarë e udhëheqës institucionesh. Presidentja Vjosa Osmani tha se sakrifica e familjes Haradinaj do të përkujtohet gjithnjë. E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në këtë përvjetor foli për rëndësinë e marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Sakrifica e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë rrethimit nga forcat serbe në Gllogjan u përkujtua të hënën nga qytetarë e udhëheqës të institucioneve në 27-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.
Presidentja Vjosa Osmani, e cila u prit nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-komandanti i Zonës operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, tha se vepra e familjes Haradinaj gjithnjë do të përkujtohet.
“Familja Haradinaj dhe i gjithë Gllogjani u ngritën në këmbë për t’i shndërruar këto kulla në fortifikatë të lirisë dhe shumë prej atyre që luftuan ranë dëshmorë e shumë të tjerë vazhduan të kontribuojnë për lirinë e Kosovës. Prandaj, është borxh i yni si institucione si qytetarë të kësaj republike te lirë e sovrane që gjithnjë të nderojmë sakrificën e familjes Haradinaj dhe të gjithë atyre qe ranë për liri”, tha Osmani.
Homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan bëri edhe kryekuvendari Glauk Konjufca.
Ai tha se trimëria dhe vendosmëria e luftëtarëve të UÇK-së u dhanë mesazh forcave serbe se rrethimi i tyre nuk do ta shuante përpjekjen për liri.
“Atë ditë kumboi fuqishëm thirrja e lirisë, që u bë frymëzim për të gjithë popullin shqiptar e në mbarë Kosovën, duke dhënë shembullin e lartësuar të rezistencës me armë në duar, të sakrificës në emër të aspiratës sonë të përbashkët çlirimtare”, tha Konjufca.
Në nder të kësaj date u mbajt edhe një akademi përkujtimore në Deçan. Para të pranishmëve Haradinaj foli për rëndësinë e fuqizimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kush e donë këtë tokë, vend dhe fëmijë duhet ta ruaj si sytë e ballit aleancën me Amerikën dhe NATO-n. Duhet ta ruaj si ditën e 24 marsit 1999...Asnjëherë nuk do të amnistojmë ata që dobësojmë fuqinë tonë të brendshme dhe aleancat tona. Kushdo qofshin dhe çfarëdo detyrë që kanë. Ata që dobësojnë aleancën me Amerikën nuk janë tonët”, tha Haradinaj.
Më 24 mars 1998, forcat serbe rrethuan dhe më pas sulmuan Gllogjanin. Gjatë rezistencës së armatosur, atë ditë dëshmorë ranë Himë Haradinaj dhe Gazmend e Agron Mehmetaj.