LAJMET E MBRËMJES

Hapet thirrja për subvencionim të termoizolimit, kulmeve dhe ndërrimit të dyerve dhe dritareve

Nga e marta, qytetarët mund të aplikojnë për subvencionim të termoizolimit të mureve të jashtme, të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro. Kjo do të bëhet në kuadër të projektit në vlerë 10 milionë euro që financohet nga Bashkimi Evropian.

Rreth 2 mijë familje pritet të përfitojnë nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Nga e marta, ato mund të aplikojnë për subvencionim të termoizolimit të mureve të jashtme, të kulmeve, si dhe ndërrimit të dritareve dhe dyerve të jashtme për 45 për qind të vlerës së investimit, deri në 5,500 euro.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se si rezultat i masave qeveritare, ka pasur ulje në katër për qind të konsumit të energjisë.

"Me lansimin e këtyre masave, qytetarëve do t’u sigurohet një ambient më i ngrohtë në dimër dhe më i freskët në verë. Ky investim do të ndikojë direkt për faturën e energjisë elektrike për familjet, por edhe për nevojën për subvencione në rast të krizave që jemi përballur viteve të kaluara”, ka theksuar Rizvanolli.

Kusht për aplikim është që shtëpitë të jenë të banueshme, të paizoluara dhe që 12 muajt e fundit të kenë konsumuar energji elektrike rreth 250 kilovat në orë.

Subvencionimi sipas anëtares së Bordit të Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Nora Arifi, do të rritet në 50 për qind nëse gruaja është pronare e shtëpisë.

"Një bonus prej 5 për qind do t’i ofrohet qytetarëve duke e arritur subvencionin në 50 për qind dhe do t’u mundësohet të gjithë atyre që kanë prona në bashkëpronësi të bashkëshortëve ose nëse gruaja është pronare e shtëpisë. Aplikimi do të realizohet përmes platformës E-Kosova dhe do të zgjasë 45 ditë si fazë e parë”, është shprehur Arifi.

Edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Biannciarsi, që financon këtë projekt, ka thënë se përfitimet nga ky projekt janë të shumëfishta.
“Përfitimet janë të shumëfishta, përveç se përfitojmë kursime financiare, përfitojmë gjithashtu ajër më të pastër dhe mjedis më të pastër për një shëndet më të mirë publik. Aty padyshim që mbetemi të përkushtuar për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt energjisë së mirë dhe të pastër”, ka deklaruar ai.

Projekti në vlerë 10 milionë euro është në kuadër të pakos së tretë të masave emergjente që financohen nga Bashkimi Evropian në kuadër të fondeve IPA.