LAJMET E MBRËMJES

Grenell kërkon t’i ndalen fondet Speciales: E gjitha është politike

Richard Grenell

Richard Grenell

Richard Grenell ka bërë thirrje që t’i ndalen fondet Gjykatës Speciale që ka selinë në Hagë. Ai ka shkruar në rrjetin social X se kjo gjykatë është politike dhe se janë shpenzuar dhe shpërdoruar miliarda për llogari të saj. Deklaratat e tij, sipas drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, nuk kanë efekt të ndjeshëm në sistemin e dhomave të Specializuara

I deleguari i presidentit Donald Trump për misione të veçanta, Richard Grenell, ka kritikuar sistemin e Dhomave të Specializuara, pasi kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberly West, e ka pëlqyer një postim në “Linkedin”, ku kritikohet administrata amerikanë ku bën pjesë ai.

Ish-emisari i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, në rrjetin social X ka kërkuar që të ndalet financimi për Specialen.

“Ndaljani fondet kësaj gjykate. Kjo është politikë. Janë shpenzuar e janë çuar dëm miliardat”, ka thënë Grenelli të dielën.

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, tregon se edhe po të ndalet financimi amerikan, nuk dëmtohet funksionimi i sistemit të Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë në Hagë, meqë pjesën dërrmuese të financimit e mbulon BE-ja, si dhe shtete si Zvicra e Norvegjia.

Sipas Blakajt, problemi i Grenellit me Specialen lidhet me faktin që ish-kryeprokurori i ZPS-së, Jack Smith, e hetoi Trumpin.

“Kjo ka filluar në kohën kur kryeprokurori Smith ishte kryeprokuror i prokurorisë speciale pasi u bë e ditur se ai do të tërhiqej dhe do t’i koordinonte hetimet ndaj Trumpit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mendoj që nga aty ka filluar ky kundërshtim i gjykatës speciale nga ana e Grenellit”, ka thënë Blakaj.

E pos faktit që e hetoi Trumpin, Smith ishte edhe shkak i asaj se përse u prish një përpjekje e Grenellit për marrëveshje Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

“Normalisht çështja ndërlidhet edhe me pengimin nga ana e Gjykatës Speciale e ish-presidentit Thaçi që të shkojë në Washington për të nënshkruar marrëveshje me presidentin e Serbisë, Vuçiq. Ky pra ishte një dështim i Grenellit, sepse ai takim nuk u mbajt meqenëse kryeprokurori i atëhershëm Smith, doli me një komunikatë ku bëri të ditur se ekziston një aktakuzë kundër presidentit Thaçi.  Kjo është vazhdimësi dhe që nga atëherë i kemi parë kundërshtitë e Grenellit kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës”, ka thënë Blakaj.

Blakaj thotë se Grenelli nuk mund të ketë ndikim direkt te gjykata dhe te Prokuroria e Specializuar në Hagë, por mund të ndikojë në uljen e besimit të këtij institucioni me seli në Hagë.

KOHA ka raportuar se si, sipas Gjykatës Speciale, vetëm një pozitë në sistemin e Dhomave të Specializuara financohet nga Shtetet e Bashkuara – ajo e kryeprokurores Kimberly West.

Grenell edhe më herët ka kërkuar mbylljen e Speciales.