Në ditën e dytë të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, janë adresuar thirrje për raportimin e çfarëdo lloji të dhunës në polici. Në kuadër të fushatës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gratë janë të sulmuara dhe të ngacmuara në të gjitha format e mundshme
Thirrje për raportimin e çdo forme të dhunës në familje janë adresuar të shtunën, në ditën e dytë të fushatës për aktivizim kundër dhunës në bazë gjinore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në aktivitetin e zhvilluar në Aeroportin Ndërkombëtar, ka ngritur alarmin për sulmet fizike e seksuale ndaj grave në forma e vende të ndryshme. E këto sulme janë dënuar edhe nga shefja e zyrës në Kosovë të organizatës së OKB-së për të drejtat e grave “UN Women”, Vlora Tuzi-Nushi.
“Në fakt, problemin më të madh e kemi që rastet e dhunës në familje nuk po raportohen sa duhet dhe sot shfrytëzoj rastin që t’ju bëj thirrje vajzave dhe grave që të mos e durojnë asnjë formë të dhunës, që të thërrasin institucionet që t’u dalin në ndihmë atyre. Që të thërrasin Policinë e Kosovës, numrin 192”, ka thënë Haxhiu.
“Dhuna absolutisht nuk duhet të durohet, duhet të raportohet, sepse shpëton jetë”, ka deklaruar Tuzi-Nushi.
Shefi i operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Gykmen Aritay, kërkoi që në fushata vetëdijesuese kundër dhunës ndaj grave e vajzave të përfshihen edhe burrat.
“Gjatë diskutimit që kam pasur me një koleg timin e kuptova se ne jemi pikërisht ata që duhet të bisedojmë e të flasim në këtë drejtim… Të gjithë i dimë dhe i shohim statistikat. Ato janë më se të qarta dhe natyrisht që duhet të merren të gjitha masat për t’u parandaluar këto raste dhe ato janë duke u marrë. Por çfarë është edhe më e rëndësishme, është rritja e vetëdijesimit për këtë çështje”, ka thënë Aritay.
Aktiviteti në aeroportin e Prishtinës në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, është organizuar nga Qeveria në bashkëpunim me “UN Women”.