LAJMET E MBRËMJES

Gra e vajza serbe protestojnë kundër “sjelljes johumane të Kurtit”

Nëpërmjet një proteste gra dhe vajza serbe në Mitrovicën e Veriut kanë kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale të lëshuara nga Serbia.

Në protestën e thirrur nga Lista Serbe, ato kualifikuan veprimin e Qeverisë si sjellje johumane të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj serbëve.

E në marshin përgjatë sheshit të qytetit, atyre u janë bashkuar edhe qytetare të tjera nga Graçanica.

Kryetarja e Komunës së Graçanicës, Lilana Shubariq, ka thënë para protestuesve se tubimi e dëshmon unitetin e serbëve të Kosovës.

“Ne serbët nga Kosova qendrore ofrojmë mbështetje të plotë për vëllezërit dhe motrat tona në veri. Asnjëherë më të bashkuar nuk kemi qenë përballë të gjitha sfidave dhe nëse kjo mizori vazhdon dua të paralajmëroj faktorët relevantë se ne serbët në jug e dimë se çfarë duhet të bëjmë”, ka theksuar Shubariq.

Protesta të mërkurën ka pasur edhe në Komunën e Shtërpcës. Gjatë tyre kryetari i Komunës, Dalibor Jevtiq, ka shprehur zotimin se serbët nuk do ta lejojnë më asnjë formë të dhunës ndaj tyre.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që janë përgjegjës për sigurinë dhe lirinë që të bëjnë punën e tyre dhe të ndikojnë tek ata që marrin vendime të njëanshme sot në Prishtinë, që të mos e bëjnë këtë. Komuna e Shtërpcës e kaloi formën më të keqe të represionit për asgjë. Na i mbyllën dyert e organeve të përkohshme dhe po i mban ende vëllezërit tanë në paraburgim, duke u përpjekur në mënyra të ndryshme, duke mbjellë frikë për të na bërë të largohemi nga këto zona”, ka deklaruar Jevtiq.

Krahas tubimit të së mërkurës, qytetarët serbë të veriut kanë paralajmëruar protesta të tjera në të gjitha institucionet e Kosovës, prej të cilave ata kanë marrë vendim që të tërhiqen në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie për vendimin e Qeverisë rreth konvertimit të targave nga ato ilegale serbe në RKS.