Ministrja për Çështje Evropian e Malit të Zi, Majda Gorçeviq, ka siguruar se shteti i saj do të votojë në mbështetje të anëtarësimit të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës. Tek e komentoi nga Prishtina votën kundër Kosovës të një deputeteje malaziase në Komisionin për Çështje Politike të KiE-së, Gorçeviq tha se ajo nuk e përfaqëson qëndrimin e shtetit të Malit të Zi
Votën pro të Malit të Zi për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës e ka premtuar të premten ministrja për çështje evropiane e këtij shteti, Majda Gorçeviq.
Nga vizita në Prishtinë, Gorçeviq siguroi se Mali i Zi do ta mbështesë Kosovën në takimin e majit të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
E për votën që një përfaqësuese e shtetit të saj e dha dy ditë më parë kundër Kosovës në Komisionin për Çështje Politike të KiE-së, ajo tha se nuk e përfaqëson qëndrimin e Qeverisë së Malit të Zi.
“Mali i Zi në Këshillin e Ministrave në maj do ta përkrahë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në këtë mënyrë pa dyshim do t’ia japim përkrahjen Kosovës sa u përket të gjitha çështjeve me interes në fushën e integrimeve evropiane”, tha Gorçeviq.
E zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se vota kundër e deputetes malaziase, Maja Vukiçeviq nuk ka qenë befasi për Kosovën. Ai tha se deputetja e ka shprehur qëndrimin e partisë së cilës i përket e që është në kundërshtim me atë të shtetit malazias.
“Edhe ne kemi në Kosovë, në Parlamentin e Kosovës subjekte politike, siç janë Lista Srpska, që punojnë dhe veprojnë kundër interesave të shtetit të Kosovës. Ajo që është me rëndësi është që vota e zonjës Vukiçeviq nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Republikës së Malit të Zi, i cili nuk ka ndryshuar që nga data 9 tetor e vitit 2008, kur Mali i Zi ka vendosur ta njohë Republikën e Kosovës. Por votat si kjo tregojnë se sa është i rëndësishëm intensifikimi i bashkëpunimit dhe margjinalizimi i veprimeve të tilla”, deklaroi Bislimi.
Para deklarimeve, ministrja Gorçeviq e zv.kryeministri Bislimi nënshkruan marrëveshje për programin e bashkëpunimit ndërkufitar mes dy shteteve. Kjo marrëveshje u mundëson Kosovës e Malit të Zi përkrahje nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 8.4 milionë eurosh.
“Qëllimi i këtij programi është promovimi i fqinjësisë së mirë, nxitja e integrimit drejt BE-së, si dhe zhvillimi social dhe ekonomik i zonave ndërkufitare, diçka që ne si qeveri e promovojmë në vazhdimësi kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me vendet fqinje”, tha Bislimi.
“Ajo çka është më e rëndësishmja në këtë program është se njerëzit nga Peja, Ulqini dhe Gjakova bashkohen për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm.. Do të dëgjojmë modalitete të ndryshme për të avancuar bashkëpunimin dhe për të kontribuar në kualitetin e jetës së qytetarëve në pjesën kufitare”, u shpreh Gorçeviq.
Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova e Mali i Zi do të themelojnë një taskforcë të përbashkët me zyrë kryesore në Podgoricë.