LAJMET E MBRËMJES

GLPS-ja i konteston nëntë nene të rregullores së “Prishtina Parkingut”

Në padinë e dorëzuar të hënën në Supreme, GLPS-ja konteston Rregulloren për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, të cilat i japin kompetencë ndërmarrjes "Prishtina Parking" për vendosjen e bllokadave, konfiskimin e automjeteve e po ashtu edhe për mosmarrjen e përgjegjësisë për dëmet që u shkaktohen atyre në parking. Organizata kërkon pezullimin e menjëhershëm të efekteve juridike të rregullores deri në vendimin përfundimtar të gjykatës

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka dorëzuar padi për shfuqizimin e Rregullores për Organizimin dhe Shfrytëzimin e Parkingjeve të Komunës së Prishtinës, e cila rregullon punën e ndërmarrjes “Prishtina Parking”.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike – platformë e GLPS-së, padinë e ka dorëzuar të hënën në Gjykatën Supreme duke u bazuar në Ligjin për Konfliktet Administrative.

Liridon Salihi, përfaqësues i GLPS-së, tha se rregullorja e “Prishtina Parking” është kontestuar në dy rrafshe: përmban nëntë nene të kundërligjshme dhe nuk është hartuar e miratuar sipas procedurave të parapara.

“Janë nenet të cilat i japin kompetencë ‘Prishtina Parkingut’ që t’u vendosë bllokada veturave të cilat parkohen në parking dhe nuk e kryejnë pagesën. Po ashtu edhe çështja e konfiskimit të këtyre veturave, e cila parashihet me rregulloren në fjalë”, ka thënë Salihi.

Sipas Salihit, Rregullorja e miratuar më 21 dhjetor 2023 nuk përmban as propozimet e miratuara në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Padisë ia kemi bashkëngjitur edhe raportin e fundit që e ka bërë Zyra Kombëtare e Auditimit për ndërmarrjen publike lokale ‘Prishtina Parking’, ku ndër të tjera ky raport vë në theks se hartimi i kësaj rregulloreje nuk është bërë në bazë të një analize të bazuar, që nënkupton se prej fillimit të hartimit rregullorja ka pasur defektet e saj. Gjithashtu me këtë rregullore nuk janë adresuar disa nga vendimet dhe propozimet të cilat ishin votuar në Kuvendin Komunal në ditën kur është miratuar ajo”, ka theksuar ai.

Në padi GLPS-ja e ka kundërshtuar edhe nenin 12 të Rregullores, e cila parasheh që “Prishtina Parking” nuk mban përgjegjësi për dëmet që u shkaktohen automjeteve të parkuara në vendparkingjet nën menaxhimin e ndërmarrjes e as kompensimin e dëmeve eventuale. Sipas paditësit, kjo dispozitë e zhvesh “Prishtina Parkingun” nga përgjegjësia për të kompensuar dëmet duke mundësuar kështu vetëm profit për ndërmarrjen dhe asnjë siguri për shfrytëzuesit e parkingjeve.

Gjithashtu GLPS-ja i ka kërkuar gjykatës që deri në vendosjen meritore të çështjes të vendosë për ndalimin e të gjitha efekteve juridike që i ka kjo rregullore.