Dënimet në raste korrupsioni nuk e pasqyrojnë seriozitetin e veprave të kryera, ka konstatuar në një analizë Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Sipas kësaj organizate, vetëm gjatë 2024-tës janë shtyrë ose janë anuluar 116 seanca gjyqësore për raste korrupsioni. E, përfaqësues të Këshillit Prokurorial kanë ngritur dyshime mbi mënyrën se si rastet trajtohen nga gjyqtarët
Rastet e korrupsionit të profilit të lartë vazhdojnë të zvarriten nëpër gjykata ndërsa dënimet nuk e pasqyrojnë seriozitetin e veprave të kryera, ka konstatuar Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), në një analizë të publikuar të enjten.
Arbëresha Loxha-Stublla, drejtoreshë e GLPS-së, ka thënë të enjten gjatë prezantimit të gjetjeve se vetëm në vitin 2024 janë shtyrë apo janë anuluar 116 seanca gjyqësore për raste korrupsioni.
“Ne kemi gjetur edhe këtë vit që rastet e korrupsionit të profilit të lartë janë stërzgjatur, seancat kanë vazhduar të dështojnë, të anulohen duke penguar efikasitetin e gjyqësorit për të zgjidhur këto raste me interes të lartë publik. Ky dështim minon besimin e qytetarëve të Kosovës karshi institucioneve të sistemit të drejtësisë”, ka thënë ajo.
Por, gjyqtari Afrim Shala, i cili është edhe kryetar i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk është pajtuar me disa nga gjetjet.
“Nuk do të thotë që ne jemi dakord, për shkak që ne mendojmë që sistemi gjyqësor gjatë vitit të kaluar ka treguar një performancë tejet të mirë në krahasim me vitet paraprake, dhe këtë ua dëshmoj me të dhëna statistikore, me të dhëna për secilin rast konkret”, ka theksuar Shala.
E, anëtari i Këshillit Prokurorial (KGJK), Visar Krasniqi, ka ngritur dyshime nëse gjyqtarët qëllimshëm kanë qasje ndryshe ndaj rasteve të korrupsionit.
“Si është e mundur të njëjtët prokurorë për veprat e tjera penale po arrijnë t’i kalojnë të gjitha aktakuzat në gjykatë, kurse kur vjen puna te veprat penale të korrupsionit kjo përqindje është shumë e ulët... Pse të njëjtët prokurorë për vepra të tjera po arrijnë t’i kalojnë 90 për qind në gjykatë dhe te veprat penale të korrupsionit kjo përqindje bie dukshëm”, ka thënë ai.
Ndërkaq, Nicola Scaramuzzo, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile në monitorimin e punës së organeve të drejtësisë.
“Nga pikëpamja e Bashkimit Evropian, organizatat e shoqërisë civile u mundësojnë qytetarëve të marrin pjesë aktive në vendosjen e agjendës politike dhe një shoqëri civile e gjallë kontribuon në përmbushjen e kushteve për anëtarësimin në BE”, është shprehur ai.
Gjatë vitit 2024, GLPS-ja ka monitoruar 466 seanca gjyqësore për raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ka analizuar 78 aktgjykime.