Në Gjykatën Themelore të Dhomave të Specializuara në Hagë është mbajtur konferencë për ecurinë e çështjes në rastin “Thaçi dhe të tjerët”. Kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Jack Smith, ia ka përsëritur kërkesat Zyrës së Prokurorit të Specializuar që ta ulë edhe më tutje numrin e dëshmitarëve që i propozon të dëgjohen, pasi dëgjimi i 312 dëshmitarëve do t’i merrte gjashtë vjet e gjysmë. Mbrojtja ka thënë se UÇK-ja nuk kishte organizim.
Numrin e madh të dëshmitarëve, 312 sish, të propozuar për t’u dëgjuar në seancat e rastit të krerëve të UÇK-së e ka përmendur kryetari i trupit gjykues, Jack Smith, në seancën e mbajtur të hënën në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Prokurorisë i ka kërkuar ta ulë numrin e atyre që do të dëgjohen, pasi gjykimi do të merrte gjashtë vjet e gjysmë.
“Bazuar në informacionin që na është paraqitur dhe faktin që kemi 312 dëshmitarë, që është numri i fundit që na ka raportuar ZPS-ja, përfshirë pyetjet nga pala kundërshtare, i bie që duhen 6.5 vjet për t’i përfunduar. Trupi gjykues mendon se 6.5 vjet vetëm për provat e ZPS-së është e tepërt, e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë përpara dhe kemi thënë që ZPS-ja të reduktojë përmasën e provave të veta dhe trupi gjykues mendon që edhe mbrojtja duhet të reduktojë kohën që i nevojitet për të kundër-pyetur dëshmitarët”, ka theksuar Smith.
Sipas tij, Gjykata është pajtuar me kohëzgjatjen e dëshmisë së 12 dëshmitarëve të parë, prej 234-orësh.
Për dëshmitarët e parë Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se janë më të rëndësishmit për çështjen, derisa u zotuan për largim gradual të dëshmitarëve që do të paraqesin dëshmitë e tyre në seanca.
“Dëshmitarët e parë na japim informacion të rëndësishëm për të parë pastaj nëse mund të paraqesim dëshmitarë të tjerë me shkrim apo mund t’i heqim tërësisht. Kemi prova të mëdha sa u takon komunikatave të UÇK-së, kemi vetë komunikatat, kemi deklarata që janë bërë në shtyp, kemi dokumente nga të akuzuarit, kemi deklarata nga të akuzuarit, kemi dëshmitarët brenda dhe jashtë UÇK-së që flasin rreth këtyre, siç e kuptojmë ne që në fakt u habitëm, autenticiteti i komunikatave të UÇK-së po kundërshtohet nga mbrojtja, prandaj ne na duhet t’i vërtetojmë këto”, ka deklaruar prokurori i ZPS-së, Mathew Halling.
Mbrojtësit e të akuzuarve deklaruan se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte vështirësi në futjen e komandantëve të zonave nën komandën e tyre.
Ata u zotuan për shpejtim të procesit gjyqësor.
“Nëse e shikojmë dëshmitarin 3, për të cilin ZPS-ja na ka dhënë me qindra e qindra faqe dhe kanë vendosur ta marrin në pyetje të drejtpërdrejta dhe ai zgjat dhjetë orë, tani unë nuk e di çfarë do të dalë e re në këtë dhjetor, por sigurisht që edhe kundër-pyetjet do të jenë të gjata, sepse ne nuk e dimë çfarë do të bëjnë këta, dhe kjo vlen edhe për dëshmitarin 7, kanë përcaktuar 12 orë për dëshmi dhe kemi pastaj dëshmitarin 10, për të cilin ka nëntë orë. Ne nuk e dimë çfarë do të thonë, a do të thonë ndonjë gjë që nuk ka lidhje me ato që ia kanë dhënë me shkrim ZPS-së, a do të thonë diçka të re, a do të dalë ndonjë informacion i ri nga këta persona”, ka thënë avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së pritet të nisë më 3 prill.