LAJMET E MBRËMJES

Gjykata Speciale ka intervistuar kryeinspektorin e AKI-së, Burim Ramadani

Në cilësinë e dëshmitarit, kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, është intervistuar nga Gjykata Speciale. Kjo ka qenë njëra nga çështjet për të cilat ish-deputeti i AAK-së e ka informuar Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, në mbledhjen e mbajtur të premten.

Pak detaje nga mbledhja që është mbajtur pa praninë e mediave ka dhënë kryetarja e Komisionit, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu. Ajo ka thënë se do të ishte e paarsyeshme që raportimi i Ramadanit të kalonte pa u ndalur tek ftesa e Speciales për të dhe pa u informuar lidhur me këtë çështje.

“Krejt çka mund të ndaj me ju si media dhe me opinionin e gjerë mund të them që zotëri Ramadani i është përgjigjur ligjërisht dhe institucionalisht një institucioni tjetër, siç është Gjykata Speciale dhe ka përfunduar procesin intervistues ose i është përgjigjur pozitivisht ftesës në bazë të ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, është shprehur Musliu.

Ajo ka thënë se si deputete e sheh të gabuar publikimin e ftesës së Speciales për Ramadanin, në ueb-faqen e AKI-së.

deputete e Kuvendit e kam parë të gabuar publikimin e ftesës në ueb-faqen e AKI-së, për çka kam reaguar publikisht në rrjetet sociale. Pyetjet e tjera sa i përket intervistimit, ftesës, publikimit të ftesës duhet t’i drejtoni në institucionin përkatës që është AKI-ja”, ka theksuar Musliu.

Në fletëthirrjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që është publikuar nga AKI-ja, Ramadani është urdhëruar që të paraqitet si dëshmitar për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Nga ai është kërkuar që të ofrojë detaje në lidhje me lokacionin e tij fizik dhe gjeografik gjatë kohës së luftës, dhe të ofrojë dokumentacion përfshirë këtu edhe fotografi dhe të dhëna të tjera për periudhën nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Në mbledhjen e Komisionit nuk është folur për alarmet për bomba në Kosovë.

“Duke pasur parasysh punën që e kryen inspektori, do të thotë nuk bie në domenin e tij, inspektori inspekton punën e brendshme të AKI-së dhe jo rrethanat e jashtme, për këtë çështje duhet të ftohet drejtori i AKI-së”, ka deklaruar Musliu.

Burim Ramadani para Komisionit ka raportuar për periudhën prej korrikut të vitit 2021 e deri më 3 qershor të këtij viti. Ai është emëruar kryeinspektor i AKI-së në nëntor të vitit 2019, në kohën kur Qeveria drejtohej nga Ramush Haradinaj e president i Kosovës ishte Hashim Thaçi. Lëvizja Vetëvendosje e pati kundërshtuar emërimin e tij, sikundër edhe të Kreshnik Gashit, drejtor të AKI-së, duke e cilësuar këtë si pazar të koalicionit të atëhershëm-PAN dhe vazhdimësi e kapjes së institucioneve të pavarura.