Kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, për paraburgimin e dy të dyshuarve për sulm ndaj kryetarit të kësaj komunë Gazmend Muhaxheri, as nuk e pranoi e as hodhi poshtë gjykata. Pas seancës dëgjimore, u vendos që të dyshuarit të mbahen në ndalim edhe për 48 orë
Gjykata Themelore në Pejë ua ka vazhduar ndalimin edhe për 48 orë, dy të dyshuarve për sulm ndaj kryetarit të kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.
Ndonëse të dielën, palët u paraqitën dy herë në Gjykatë, gjyqtari i procedurës paraprake nuk mori vendim lidhur me kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Prokurorja Arlinda Nallbani Gacaferri, ka thënë se ekziston bazë e mjaftueshme ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.
“Kërkesa është bazuar në tri pika, të cilat janë të parapara në Kodin e Procedurës Penale. Ato janë rreziku i arratisjes, ndikimi në dëshmitar meqenëse në vendin ku ka ndodhur ngjarja ka shumë dëshmitar, një pjesë prej tyre ende nuk janë intervistuar dhe më pas rreziku se të njëjtit do ta përsërisin veprën penale, e kjo për faktin se shtëpia e të dëmtuarve dhe të dyshuarve nuk janë në një largësi të madhe”, ka thënë ajo.
E avokatët e të dyshuarve, të cilët u deklaruan për media, ende pa u marrë vendimi, patën pritshmëri të ndryshme.
Haki Mavraj që e mbron të dyshuarin K.L, u shpreh se pritshmëritë e tij janë që kërkesa e prokurorisë të aprovohet.
“E kemi kundërshtuar mungesën e provave në mëngjes, por pasdite është kompletuar”, ka thënë ai.
E, Blerim Ademaj avokat i të dyshuarit D.L, ka thënë se për paraburgimin e klientit të tij, nuk ekzistojnë prova.
“Kërkesën e prokurorisë e kundërshtuam në tërësi, pasi që e njëjta nuk mbështetet në prova. Këtë herë iu referuam deklaratës së kryetarit Gazmend Muhaxheri i cili në asnjë moment nuk e inkriminon palën time dhe presim nga Gjykata që e njëjta të refuzohet”, ka deklaruar Ademaj.
Vendimi për masën e sigurisë do të merret brenda 48 orëve.
K.L. dhe D.L. dyshohet se të shtunën sulmuan fizikisht kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ata dyshohen për veprat “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Incidenti dyshohet se ka të bëjë me një projekt në fshatrat e Rugovës.