Trupi gjykues në rastin e udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka pranuar si prova materiale të enjten videomaterialet ku Hashim Thaçi menjëherë pas luftës bënte thirrje kundër dhunës. Në këtë seancë ka vazhduar dëshminë e saj ish-pjesëtarja e Misionit Verifikues të Kosovës, Sandra Lyn Mitchel. Ajo konfirmoi se UÇK-ja nuk pati komandë qendrore të unifikuar
Një sërë videosh i janë transmetuar në Gjykatën Speciale të enjten dëshmitares së 38-të, ish-drejtoreshë për të drejtat e njeriut në Misionin Verifikues të Kosovës në kuadër të OSBE-së, Sandra Lyn Mitchel.
Mes tyre, edhe një konferencë për media e mbajtur më 2 korrik 1999, ku Hashim Thaçi, kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, bënte thirrje për pajtim e paqe.
“I lusim të gjithë qytetarët e Kosovës qofshin ata me status civil apo ushtarak të përmbahen dhe të ndikojnë te të tjerët që të mos ndërmarrin akte dhune ndaj fqinjëve të tyre, meqë veprimet e këtilla janë të papranueshme. Përgjegjësit për veprime të tilla do të sillen para drejtësisë”, kishte thënë Thaçi.
Asaj iu shfaq edhe një video, ku Thaçi pranoi se pas përfundimit të luftës, ka pasur veprime të papërgjegjshme nga disa individë apo grupe të caktuara, të cilët, sipas tij, keqpërdorën emblemën e UÇK-së.
Dëshmitarja konfirmoi shumë prej atyre që u thanë në video. E pas kësaj, avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, që e propozoi shfaqjen e këtyre materialeve, kërkoi që ato të pranohen si prova materiale, gjë që trupi gjykues dha miratimin.
E avokatët e Rexhep Selimit dhe Jakup Kransniqit i parashtruan pyetje dëshmitares për deklaratat paraprake, ku ajo e konfirmoi se UÇK-ja ndryshonte nga zona në zonë.
“Pra dua që të shikoni rreshtin 9, këtu është një pyetje që ua bëri edhe më herët z. Kehoe, që UÇK-ja nuk ishte e unifikuar në mënyrë qendrore e të koordinuar, të bashkërenduar, kishte komandantë të ndryshëm dhe dukej ndryshe në pjesë të ndryshme të Kosovës? Dhe ju thatë po, kjo është e vërtetë apo jo?”, theksoi Aidan Ellis, avokati i Krasniqit.
“Po”, u përgjigj Mitchel.
“Në rreshtat 22-24 në këtë faqe ju thoni që ata mund të silleshin ndryshe në varësi të asaj kush ishte komandant. A është e vërtetë kjo?”, pyeti Ellis.
“Po”, u përgjigj ajo.
Mitchel, në vitin 1999 ka punuar me William Walkerin dhe ka dëshmuar edhe në proceset gjyqësore kundër udhëheqësve politikë, ushtarakë e policorë serbë, pesë nga të cilët Tribunali i Hagës i dënoi për krime lufte në Kosovë.
Ajo pritet ta vazhdojë dëshminë të hënën.