LAJMET E MBRËMJES

Gjermania e Franca kërkojnë angazhim në dialog, SHBA-ja thekson mbështetjen për sovranitetin e Kosovës

Flamuri i Kosovës dhe Bashkimit Evropian

Me rastin e shënimit të 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Kosova ka marrë mesazhe urimi nga liderë botërorë. Presidentit amerikan, Donald Trump, e sekretari Rubio kanë përmendur mbështetjen e Kosovës, derisa Richard Grenell theksoi se në paraburgim në Hagë tash e pesë vjet është ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili e lexoi Deklaratën e Pavarësisë. E, Gjermania dhe Franca i kërkuan Kosovës angazhim në dialog.

Liderë nga e gjithë bota ua kanë uruar shtetasve të Kosovës Ditën e Pavarësisë.

Presidenti Donald Trump i ka cilësuar si të forta lidhjet mes popullit të Kosovës dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka shtruar nevojën që të zgjerohen edhe më shumë.

Edhe kryediplomati amerikan, Marco Rubio, në urimin e tij ka thënë se  SHBA-ja ka mbështetur rrugëtimin drejt një shteti sovran.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpreh urimet e mia teksa shënoni 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës - një rast për të reflektuar mbi qëndresën, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës drejt një shteti sovran, demokratik, multietnik dhe të begatë. Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për mirëqenien e vazhdueshme të Kosovës. Teksa festoni pavarësinë tuaj, ne nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta mes popujve tanë”, shkroi Rubio.

Frymë më ndryshe, kritike për bashkësinë evropiane, u shpreh emisari amerikan për misione të posaçme, Richard Grenell, i cili në platformën X u shpreh i hidhëruar me BE-në lidhur me gjykimin e ish-presidentit Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara.

“Themeluesi i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhej të festonte sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë. Evropianët nuk kanë arritur të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në 5 vjetët e fundit”, shkroi Grenell.

Me këtë qëndrim shpreh pajtim kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

E presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe ai i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në urimet e tyre kanë kërkuar nga  Kosova angazhim urgjent në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë. Në këtë drejtim normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një përfaqësuesi special të Bashkimit Evropian duket të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e  Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Macron.

“Gjermania mbështet në mënyrë të pandryshuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe dëshiron që ajo të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Në rrugën drejt këtij qëllimi hapat përpara në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë mbeten të një rëndësie thelbësore. Angazhimi i Kosovës në dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin, të cilin Kosova e ka marrë përsipër si detyrim, vazhdon të jetë urgjent”, thuhet në letrëm e Steinmeierit.

Me rastin e shënimit të 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Kosovën e ka uruar mbreti Charles i Tretë, i cili tha se dy shtetet “ndajnë lidhje të forta”

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, në mesazhin e urimit të tij ka shprehur mbështetjen për stabilitetin dhe integrimin evropian të Kosovës.

Në mesazhin e tij presidenti Mattarella ka theksuar se të dyja shtetet kanë fuqizuar miqësinë vazhdimisht  gjatë viteve, falë edhe kontributit të palëkundur të Italisë për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës.

Ministria e Jashtme e Turqisë në urimin e saj e ka quajtur popullin e Kosovës si popull mik.

Urime për Ditën e Pavarësisë ka bërë edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi. 
Presidenca ka pranuar urime edhe nga shtetet e tjera si: Mali i Zi,  Bullgaria, Estonia, Lituania, Letonia, Pakistani, Tajlanda, Jordania, Katari, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara e Arabia Saudite.