LAJMET E MBRËMJES

Gjashtë vjet burgim dy ish-zyrtarëve për rrënimin e “Abi Çarshisë”

Islam Thaqi, ish-drejtor i Inspektoratit, dhe Jetmira Vrenezi, ish-udhëheqëse e sektorit të ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, janë dënuar me nga 3 vjet burgim dhe me nga 2000 euro gjobë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshisë”, në korrik të vitit 2019. Ndërsa katër të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Gjykata Themelore e Prizrenit i ka liruar nga akuzat

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur fajtorë, të martën, dy ish-zyrtarë të lartë të Komunës së Prizrenit të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e rrënimit të një aneksi të qendrës tregtare “Abi Çarshia”, duke iu shqiptuar dënimet me nga tre vjet burgim dhe me gjoba prej 2000 eurosh.

Katër të pandehurit e tjerë të rastit janë liruar nga akuza, pasi që gjatë procesit gjyqësor nuk është provuar përfshirja e tyre në veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Kymete Kicaj, ka konstatuar se ish-drejtori i Inspektoratit, Islam Thaqi, dhe ish-udhëheqësja e sektorit të ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspektorateve, Jetmire Vrenezi, më 19 dhe 21 korrik të vitit 2019, në objektin e “Abi Çarshisë” në Prizren i kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit ndaj kompanisë “Abi”.

“I pandehuri Islam Thaqi, me shënime personale si në shkresat e lëndës; e pandehura Jetmira Vrenezi, me shënime personale si në shkresat e lëndës; Gjykata duke vepruar konform nenit 365 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale i shpall fajtorë për veprën penale 'keqpërdorim i pozitës zyrtare' nga neni 414 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal”, ka thënë Kicaj gjatë shpalljes së aktgjykimit.

Sipas trupit gjykues, dy ish-zyrtarët e lartë gjatë verës së vitit 2019 kanë realizuar rrënimin e aneksit në kompleksin “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari e kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim dhe se kësisoj kanë vepruar në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi, si dhe me vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

"Pra, bazuar në këto citate të Ligjit për trajtimin e objekteve pa leje, vijmë në përfundim se autoritetet komunale të Komunës së Prizrenit nuk e kanë përfillur fare ekzistimin e këtij ligji, edhe pse kanë qenë të obliguar të veprojnë konform tij, sipas vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të datës 27.8.2018”, ka theksuar Kicaj.

Në njoftimin e Gjykatës theksohet se veprimi i dy ish-zyrtarëve ka qenë në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr. 06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe me vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit në Prizren dhe janë obliguar organet komunale që të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe Udhëzimit Administrativ në fuqi.

“Andaj të akuzuarit, duke mos i përfillur vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç‘rast gjatë rrënimit shkaktojnë dëm. Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer vepër penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par. 1-1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka bërë të ditur Gjykata.

Trupi gjykues ka vendosur që zyrtarët e tjerë komunalë: Egzona Morina-Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipron Krasniqi të lirohen nga akuza, meqë nuk është provuar se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar”. Pala e dëmtuar, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Islam Thaqi aktualisht është anëtar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, derisa Jetmire Vrenezi është deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.