LAJMET E MBRËMJES

Gjashtë ukrainase trajnohen për pastrimin e fushave të minuara në Kosovë

Ukrainaset janë duke e ndjekur në Kosovë një trajnim për deminim, me qëllim që të kthehen në vendlindje dhe të ndihmojnë në pastrimin e fushave të minuara, pas tërheqjes së Ushtrisë ruse nga pjesët veriore. Ato kanë theksuar se përvoja dhe trajnimet nga MAT Kosova në Pejë do të jenë vendimtare për punën e tyre në Ukrainë

Gjashtë gra nga Ukraina e kanë filluar trajnimin për deminim në Kosovë me qëllim të asgjësimit të mjeteve shpërthyese në vendin e tyre të shkatërruar nga lufta.

Ato përbëjnë grupin e parë të çminuesve ukrainas, të cilët janë duke iu nënshtruar trajnimit nga MAT Kosova, pjesë e Grupit të kompanive PCM me bazë në Maltë.

Trajnimi është duke u bërë në Pejë.

Anastasiia Minchukova, 20-vjeçare, është njëra prej atyre që është duke e ndjekur trajnimin. Ajo ka thënë se në Ukrainë ka "kërkesë të madhe për njerëzit që dinë të bëjnë çminim".

“Ka kërkesë të madhe në Ukrainë për njerëz që dinë si ta kryejnë çminimin, sepse lufta do të përfundojë së shpejti. Besojmë se do të ketë shumë punë për të bërë. Mendoj se ne absolutisht do të jemi të dobishme”, ka theksuar ajo për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Ka shtuar se beson që trajnimi do të jetë vendimtar për punën e saj në vendlindje.

“Çfarë po më mungon më së shumti? Paqja. Unë po ëndërroj për paqen, për të fjetur në shtratin tim, pa u shqetësuar se do të shkoj në strehimoret e bombardimeve gjatë gjithë kohës. Ne besojmë se ka shumë punë për të bërë. Unë mendoj se do të jem absolutisht e dobishme”, ka thënë ajo.

Një prej instruktorëve të grupit është Artur Tigani. Ai po ua mëson atyre në praktikë se si t’i asgjësojnë municionet e pashpërthyera. Dhe të tilla në vendin e tyre do të ketë mjaft, pas përfundimit të luftës.

Tigani e ka përvojën e Kosovës me minat.

“Është ende e freskët në kujtimet tona, edhe pse kanë kaluar rreth 23 vjet. Janë ende të freskëta kujtimet, vështirësitë kur filluam me pastrimin e minave në Kosovë. Kështu që qendra e trajnimit është ndërtuar mbi përvojën tonë dhe është si përvojë e dorës së parë”, ka theksuar instruktori i çminimit.

Rusia e ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, porse nga disa pjesë është tërhequr, duke lënë prapa vetes zona të minuara.

Mes gjashtë ukrainaseve që po trajnohen për të pastruar fushat e minuara në vendin e tyre është edhe nëna e tre fëmijëve, Yuliia Katelik, 38-vjeçarja nga Kramatorsku.

“Si nënë e kuptoj që ka një problem dhe është mjaft serioz, sidomos për fëmijët. Tani jemi përballur me një problem të kontaminimit të lartë me lloje të ndryshme të mjeteve shpërthyese”, ka theksuar ajo.

Pastrimi i fushave të minuara do të jetë një prej sfidave kryesore për Ukrainën.